Rritja e çmimeve ka qenë temë e diskutimit të organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Konsumatorit. Gjatë tij, nga Shoqata e Naftëtarëve është bërë thirrje që pas uljes së çmimeve të derivateve, të ulen edhe çmimet e produkteve të tjera
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për një rritje prej 7.3 për qind të çmimeve të konsumit në muajin shkurt, krahasuar me muajin janar të këtij viti. Kjo rritje e çmimeve ka qenë temë e diskutimit “Mbrojtja e konsumatorit dhe ngritja e çmimeve në Kosovë”, që është organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Konsumatorit.
Abazi, hulumtues në INDEP, ka thënë se rritja e çmimeve e ka rënduar gjendjen e konsumatorëve. Sipas tij, këto çmime kanë qenë të paparashikueshme dhe janë të papërballueshme për një pjesë të madhe të konsumatorëve në Kosovë.
Por, pas rënies së çmimit të derivateve, nga Shoqata e Naftëtarëve ka bërë thirrje për ulje të çmimeve edhe të produkteve të tjera.
Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, ka thënë se çmimet e derivateve në Kosovë janë më të ulëtat në rajon. “Apeloj te të gjitha marketet, të gjithë tregtarët, të gjitha kompanitë: Derivatet kanë rënë për 32 centë brenda dy javëve, ju lutem zbritni edhe ju çmimet”, është shprehur Berjani.
Nijazi Shala nga Departamenti për mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se ekonomia e Kosovës nuk është një ekonomi e kontrolluar si në të kaluarën. Sipas tij, ekonomia e vendit varet kryesisht nga importet dhe se kjo e bën të vështirë vendosjen e politikave ose pakove fiskale në kontrollimin e çmimeve gjatë krizave ekonomike dhe inflacionit të lartë.
“Kosova nuk paraqet një vend me intensitet të lartë kapital, në këto rrethana si koncept në vetvete, mbrojtja e konsumatorit ka rëndësi të veçantë, por ajo duhet të konsiderohet në rend të partë si kategori ekonomike”, ka deklaruar Shala.
Ndërkohë që Albion Ujkashi, nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë, ka thënë se inflacioni është shkaktuar nga rritja e çmimeve të produkteve bazë në tregun global.
“Nëse marrim për bazë grurin, është një rritje prej 62.5 për qind në momentin që po flasim, një rritje e misrit me mbi 30 për qind, një rritje e vajit të palmës që përdoret në shumicën e produkteve të bulmetit mbi 50 për qind dhe vaji ushqimor është në nivelet më të larta që nga viti 2008”, ka deklaruar Ujkashi.
Duke u bazuar në luftën në Ukrainë, si dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet botërore, javëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë.