I ndërtuar para një dekade, ky objekt shkollor është mbyllur që dy vjet me fuzionimin e shkollave në Komunën e Drenasit.
Tash ky objekt, i cili kushtoi 100 mijë euro për t’u ndërtuar po shfrytëzohet për të pame në fshatin Godanc, raporton KTV.
Banorët atje thonë se nuk ka asgjë të keqe që tashmë objektin e shkollës e shfrytëzojnë për nevoja të tyre.
Si kjo shkollë, janë edhe dy të tjera në këtë komunë.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit thotë se ky objekt mirëmbahet nga DKA-ja dhe për ta shfrytëzuar atë, banorët paraprakisht duhet të marrin leje.
Njësoj si Drenasi, edhe në Komunën e Kamenicës, pas fillimit të reformës nga kreu i kësaj komune kanë mbetur disa objekte të shkollave të papërdorura.
Edhe komunat si Peja, Gjakova e Ferizaj, kanë objekte shkollore për të cilat janë shpenzuar qindra miliona euro, e që sot janë demoluar dhe nuk janë duke u shfrytëzuar.
Përkundër kësaj, Ministria e Arsimit thotë se është duke financuar ndërtimin edhe të disa objekteve të reja.
“Në ndërtim e sipër nga buxheti i MASHT-it janë 27 objekte shkollore, ndërsa gjatë vitit 2020, pritet të përfundojnë 6 të tilla”, thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.
Sipas të dhënave nga ASK-ja, 284,044 nxënës vijojnë mësimin në 954 shkolla fillore në 2018, ndërsa 91,345 nxënës vijojnë mësimin në 122 shkolla të mesme.