Arbëri

Pas raportimit të KOHËS, vajza e viktimës së aksidentit kontaktohet nga Prokuroria

Aksident

Ilustrim

Sihana Bejtullahu, e bija e të ndjerit Ferhat Bejtullahu, ka bërë të ditur se të enjten është kontaktuar nga Prokuroria lidhur me rastin. Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kanë thënë që kallëzimin penal nga Policia e kanë pranuar para 8 ditësh. E në Gjykatën Themelore kanë konfirmuar se ngasësi i veturës, i cili e ka shkaktuar aksidentin, ishte dy herë i dënuar me vendim të plotfuqishëm për shkelje të rregullave në trafik

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të enjten se vetëm para 8 ditësh e ka pranuar kallëzimin penal nga Policia për rastin në të cilin dy muaj më parë një këmbësor është goditur për vdekje nga një veturë në rrugën “Bill Clinton” në kryeqytet.

Në përgjigjen e Prokurorisë për KOHËN është thënë se rasti nuk i ka përmbushur kushtet që ndaj personit, i cili dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin, të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

“Nga dita kritike kur ka ndodhur rasti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka qenë në pritje të kallëzimit penal nga Policia, derisa më 31 janar 2024 e ka pranuar atë dhe i është ndarë prokurorit përkatës, i cili është duke e trajtuar këtë çështje penale”, është thënë në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në Gjykatën Themelore kanë konfirmuar se shoferi, i cili e ka shkaktuar aksidentin me fatalitet, është i dënuar dy herë me vendim të formës së prerë, për shkaktim të aksidentit dhe për ngasje të veturës në gjendje të dehur.

“Sistemit Menaxhues Informativ të Lëndëve SMIL i figuron se V.G. ka pasur dy raste gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë... P.nr.2785/2016 nga neni 378 KPRK- së, i cili është gjykuar me dënim me gjobë, në vlerë prej 200 euro – Vendimi është i plotfuqishëm më datë 26.5.2017 dhe P.nr.151/2016 nga neni 379 KPRK-së, i cili është gjykuar me dënim prej 3 muaj burgim me kusht, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti dhe dënim me gjobë në vlerë prej 160 eurosh”, kanë thënë në Gjykatën Themelore.

E Sihana Bejtullahu, e bija e të ndjerit Ferhat Bejtullahu, ka njoftuar të enjten nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook se një ditë pas daljes së saj në publik për të folur lidhur me rastin është kontaktuar nga Prokuroria.

“Pas reagimit tim publik, sot kemi marrë telefonatë nga kryeprokurori i Prishtinës dhe jemi të ftuar në takim për sot, në orën 13:00. Ne ashtu si në fillim do të jemi bashkëpunues me institucionet dhe mbesim me shpresën që rasti të trajtohet me drejtësi”, ka shkruar Bejtullahu.

Të mërkurën KOHA ka raportuar lidhur me rastin, për të cilin Sihana Bejtullahu është ankuar mbi manipulimin e provave dhe për shpërfillje nga institucionet e rendit.

“U kam shkruar të gjitha institucioneve, duke filluar nga kryeprokurori i shtetit, kryeprokurori i Prishtinës, prokurores së rastit, policit dhe po ashtu kam dërguar ankesë tek Inspektorati Policor për sjelljen e padinjitetshme dhe joprofesionale të policit të rastit”, pati thënë Bejtullahu për KOHËN.

Bejtullahu ka thënë se personi që e ka goditur për vdekje babanë e saj dhe që nuk ka marrë kurrfarë dënimi nga institucionet, ka lidhje të forta me politikën. Ai është djali i një biznesmeni.