Arbëri

Pas raportimit në Këshillin Evropian, Lajçaku viziton Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, javën e ardhshme do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për KOHËN e konfirmoi vizitën e Lajçakut porse nuk i tregoi temat për të cilat pritet të diskutohen, takimet që do t’i zhvillojë apo datën e ardhjes së tij.

“Takimet dhe vizitat e përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, janë pjesë e agjendës dhe punës së tij, dhe, për momentin, nuk mund të japim informacione specifike. Kur të ketë më shumë detaje, do t’i ndajmë me ju”, tha Stano.

Këshilli i Bashkimit Evropian do të diskutojë të hënën, më 12 tetor, në nivel ekspertësh rreth dialogut Kosovë-Serbi. Për Lajçakun, ky diskutim ndodh për herë të parë prejse ai është emëruar i dërguar i posaçëm për dialogun. Normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë tema e parë e takimit mes ministrave evropianë, që do të mbahet të hënën në Luksemburg.

Pas këtij takimi, vijon vizita e Lajçakut në Kosovë dhe Serbi.

KOHA ka pyetur në BE edhe nëse Lajçaku nis këtë vizitë për të diskutuar rreth temës së Asociacionit, porse nuk ka marrë përgjigje.

Tema e Asociacionit është shkaku që ka ngecur dialogu Kosovë-Serbi. Serbia pati kërkuar që në rend dite të futej edhe tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por Kosova pati refuzuar që kjo temë të jetë çështje e diskutueshme.