Lideri i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviq dhe tre persona të tjerë janë shoqëruar në Polici në Mitrovicë të Veriut të mërkurën pasdite. Përveç Arsenijeviqit, në stacionin policor u shoqëruan edhe një serb dhe dy shqiptarë.
Zëvendësdrejtori i PK-së për veriun, Veton Elshani ka thënë për KOHËN se Arsenijeviq u shoqërua pasi i ka rënë bilbilit, përkatësisht për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
Politikani serb i ra bilbilit pranë një restoranti të sapohapur shqiptar, ku ishte i ulur kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Aty janë çuar disa njerëz që ishin të ulur në restorant, duke thënë se po i shqetësonte bilbili i Arsenijeviqit. Më pas intervenoi Policia.
Edhe tre personat të tjerë u shoqëruan për veprën penale “prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
Arsenijeviqi u shoqërua në Polici edhe në fillim të gushtit, kur pengoi punëtorët në Urën e Ibrit. Më 10 shtator u shoqërua edhe kur protestoi për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veri.