Arbëri

Pas PDK-së, edhe LDK paralajmëron ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

Pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Lidhja Demokratike ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin, i cili i hap rrugë themelimit të Fondit Sovran. Sipas zyrtarëve të dy partive opozitare, ky ligj cenon parimet themelore të organizimit ekonomik të shtetit

Themelimi i Fondit Sovran ishte njëri nga premtimet kryesore të kryeministrit Albin Kurti. Por tri ditë pas miratimit në Kuvend të Ligjit për Fondin Sovran, partitë opozitare, ashtu si edhe për disa vendime tjera të pushtetit, pritet të kërkojnë interpretim të ligjshmërisë. Fillimisht PDK-ja e më pas edhe LDK-ja ka thënë se do ta dërgojë atë në Kushtetuese.

Berat Rukiqi, zyrtar i LDK-së, ka thënë se ky ligj cenon parimet themelore të organizimit ekonomik të shtetit.

“E para është pjesa e ndikimit të këtij ligji në ekonominë e vendit. Ne nuk presim efekte nga ky ligj, përderisa veç shtohet problemi i menaxhimit të ndërmarrjeve publike. Tash kufizohet në një grup të ngushtë të njerëzve që do të vendosin. Tashmë shteti është dëshmuar, përfshirë edhe kjo qeveri si menaxher jo i mirë i ndërmarrjeve publike të cilat duhet të kenë një profit ekonomik që të mbijetojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, përmes këtij ligji krijohet baza që të favorizohen ndërmarrjet e caktuara.

“Rrezikohen pikërisht këto asete, këto ndërmarrje që kanë profitabilitet të qëndrueshëm. Shteti i merr ato dhe krijon hapësira për keqmenaxhime të tjera duke eliminuar komplet prokurimin publik, komplet konkurrencën e lirë, qoftë në funksionalizimin, në investime apo në pjesën e rritjes së planifikuar të këtyre ndërmarrjeve publike”, ka thënë ai.

Sipas tij, pjesa tjetër e problemit lidhet me ndërhyrjen e shtetit në sektorin privat.

“Aty parashihet një nen ku thotë - investon në sektorin privat, bëhet akter, bëhet vendimmarrës në sektorin privat dhe kjo është shqetësuese, pasi një model të tillë të dështuar e kemi pasur në ekonomitë socialiste dhe ka një tendencë që kjo të replikohet tani duke ndërhyrë dhe favorizuar ndërmarrje të caktuara duke ndërhyrë në to”, ka theksuar Rukiqi.

Edhe nga PDK-ja kanë bërë të ditur se janë duke punuar që brenda afatit ligjor ta dërgojnë ligjin në Kushtetuese. Sipas kësaj partie, ligji si i tillë cenon konkurrencën e lirë dhe trajtimin e barabartë të investitorëve.

“Me këtë ligj mëtohet të krijohet një megastrukturë burokratike që dëmton buxhetin e shtetit, krijon pasiguri juridike dhe mbi të gjitha cenon vlerën kushtetuese të sundimit të ligjit, sepse në organizimin dhe funksionimin e tij, nuk do të zbatojë as ligjin bazik për ndërmarrjet publike, as ligjin e punës, as të prokurimit publik, por do të qeveriset sipas tekeve të kuaziekspertëve të shitur”, ka thënë shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

Të dyja partitë e shohin si shqetësuese që miliona euro do të jenë të koncentruara në një grup, siç e kanë quajtur të pushtetit, duke shprehur dyshimin se mijëra punëtorë të ndërmarrjeve rrezikojnë të mbesin në rrugë e të zëvendësohen me militantë partiakë.

Shqetësuese sipas opozitës, është edhe që Qeveria ka paraparë që mjetet e Trustit të shfrytëzohen për ta mbushur fondin.

Ligji për fondin sovran është miratuar të premten me votat e deputetëve të pushtetit. Ai synon që disa ndërmarrje publike të kalojnë nën menaxhimin e Fondit Sovran, siç është KEK-u, Telekomi, Posta e “Infrakosi”. Po ashtu në kuadër të fondit është paraparë të ketë edhe asete të paprivatizuara.

Për rëndësinë e tij kanë folur edhe përfaqësues të grupit punues dhe ekspertët ligjorë, Besnik Pula e Emanuel Bajra, në një reagim ndaj deklaratës së deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se ky fond dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit. Hoti ka shkruar në Facebook se Ligji për Fondin Sovran dhe koncept- dokumenti përkatës kanë për bazë ideologjinë ekonomike që është e kundërt me liberalizmin ekonomik.

Pula, eksperti i ekonomisë politike, dhe Bajra, ekspert financiar, kanë kritikuar Hotin për përdorimin e termit liberalizëm ekonomik. Ata kanë thënë se për shumicën e intelektualëve e ekonomistëve, liberalizmi ekonomik dhe ekonomia sociale e tregut përfaqësojnë dy koncepte të ndryshme.

“Fondet sovrane figurojnë pranë qeverive e pushteteve të të gjitha ngjyrave, llojeve, e kategorive, demokratike e jodemokratike, liberale e joliberale, më shumë e më pak të pasura, me e pa burime natyrore, me një gjeografi që vijon rreth globit nga Zelanda e Re deri te Panamaja. Kjo vetëm vërteton faktin se në botën e sotme fondet sovrane janë instrumente normale për arritjen e synimeve nacionale ekonomike, financiare e zhvillimore. Si institucione e instrumente, fondet sovrane sot janë të barasvlershme me bankat qendrore, fondet pensionale dhe ministritë e financave”, thuhet në reagim.

Sipas grupit, të akuzohet një projekt për një fond sovran si ideologjik është sikur të akuzohet si ideologjike fakti që Kosova ka një bankë qendrore ose ministri të financave.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, pas miratimit të Ligjit për Fondin Sovran, mes tjerash ka thënë se ai do t’i forcojë ndërmarrjet publike, do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend.

“Me themelimin e këtij fondi do të kalojmë nga një sistem i privatizimit të aseteve shtetërore”, ka deklaruar ai. Sipas Kurtit, me këtë i jepet fund sistemit i cili më shumë u ka shërbyer interesave të individëve të pushtetshëm.