Rreth 100 persona dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në Han të Elezit, që nga e diela.
Kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi, i ka thënë KOHËS se personat që dyshohet se janë helmuar kanë marrë trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të kësaj komune.
Sipas tij, simptomat janë vjellje, jashtëqitje dhe temperaturë, por se në asnjë nga rastet nuk është paraqitur gjendje më e rënduar.
“Që nga dita e djeshme kane filluar te vijnë të dyshuar nga helmimi në QKMF të marrin ndihmën e parë për shkak të simptomave të vjelljes, të barkqitjes dhe temperaturës e që thonë se ky është helmim. Helmimi dyshohet se mund të ketë ardhur nga uji, megjithatë nuk ka ende ndonjë analizë se nga saktësisht vjen ky helmim”, ka thënë ai.
Ballazhi ka shtuar se për rastin është njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, zyrtarët e të cilit sipas tij, ende nuk i kanë marrë mostrat për të bërë analiza.
“IKSHPK-ja është i njoftuar, janë rrugës për të marrë mostrat në fshatin Gorancë për të bërë analizat dhe për të parë se çka në fakt është duke ndodhur. Deri para rreth një ore diku rreth 100 persona kanë kërkuar ndihmë, vinë herë pas here persona por jo në mënyrë masive, ka rënë numri siç ka qenë nga dita e djeshme në orët e vona të mbrëmjes”, ka thënë ai.
Javën e kaluar mbi 200 persona në Kaçanik kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të helmimeve, që kanë rezultuar të jenë për shkak të ujit të pijshëm që nuk i ka plotësuar standardet.