Pas Gjilanit, edhe furrat në Pejë kanë rritur çmimin e bukës. Derisa një ditë më parë një bukë 500 gramësh kushtonte 50 centë, të enjten qytetarët kanë paguar 10 centë më shumë.
Pejanët ankohen për rritjen e çmimeve, duke thënë se kjo do t’ua vështirësojë jetesën në këtë kohë, kur të gjitha produktet bazike kanë shënuar rritje.
“Sot shkova të marr bukë edhe duke menduar si gjithë 50 centë, tha jo zotni, 60 centë. Me të vërtetë nuk më dha diçka mbrëmë, nuk dhanë informacion për rritjen e çmimit, kupto, por këtu kujt si po i teket. Jemi dëshmitarë në këtë shtet, ishalla errem e nuk njehëm”, u shpreh Isuf Osmani, qytetar i Pejës.
E Fadil Istrefaj tha se shtrenjtimi është bërë shqetësues.
“Shtrenjtimi i bukës është shqetësues, por edhe nuk është qaq se duhet ta ruajmë bukën, ta punojmë tokën e ta ruajmë bukën. Shtrenjtë është normal se nuk i ka as 300 gramë 400 gramë, kilogrami nuk është i bukës”, tha qytetari tjetër i Pejës, Istrefaj.
Rritjen e çmimeve të bukës e ka parë me habi kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu.
“Lëvizjet e çmimit të miellit nuk ka pasur dhe nuk pritet, përkundrazi pritet rënie pasi që po afrohemi në sezonin e korrje-shirjeve të grurit, dhe mendoj që sezoni gjithmonë bie që çmimet të bien e jo të ngrihen”, pohoi Zejnullahu.
Inspektorati i tregut në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është duke i verifikuar dokumentacionet e ofruara nga furrat në Gjilan.
Kryeinspektorja në MINT ka thënë se inspektorët kanë dalë në terren të enjten edhe në Pejë për të parë pse kanë ndryshuar çmimet.
“Nga disa furra në Gjilan, kemi pranuar dokumentacionet dhe jemi duke i shqyrtuar, pasi në bazë të tyre, vërehet se ka një rritje të produkteve të tjera me të cilat ata furnizohen. Ne jemi duke analizuar të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe të shohim nëse ka pasur rritje artificiale të çmimeve apo jo”, deklaroi Lebibe Haliti, kryeinspektore në MINT.
Në Ministrinë e Bujqësisë kanë thënë se pas rritjes së përkrahjes direkte për bujqit përmes subvencionimit, duhet të ketë reflektim që të mos rriten çmimet në treg.
E nga Shoqata e Mullisëve thonë se subvencionimet presin që të japin efektet për sezonin e ardhshëm.
“Qeveria ka hartuar një plan të ri të subvencionimit të grurit, i cili ka ndodhur këtë vit, në mars të 2022-s dhe që është një subvencionim, unë mendoj se ka bërë një hap shumë të rëndësishëm, edhe shumë të mirë në këtë drejtim dhe ajo do të ndikojë pozitivisht te fermerët për të rritur sasinë e kultivimit të grurit se subvencionimi ka qenë shumë i mangët”, shtoi Zejnullahu.
Për rritjen e çmimeve, nga janari e deri më tani, në Departamentin për mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të MINT-it, janë paraqitur 255 ankesa, të cilat ende figurojnë si të pazgjidhura.