Pas 6 muajsh prejse u mbyllen shkollat për shkak të pandemisë, një pjesë e nxënësve në Kosovë u janë kthyer bankave shkollore. Duke respektuar masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, të hënën filloi viti i ri shkollor 2020-2021. Nxënësit dhe stafi bartën maska derisa në hyrje të shkollave është bërë edhe matja e temperaturës.
Sipas mësimdhënësit të shkollës “Faik Konica”, Ismet Ferati, këtë vit mësimi po fillon më ndryshe për shkak të pandemisë por, siç është shprehur, të gjithë po i respektojnë rregullat. Këtë javë ka thënë se do ta kenë më lehtë të menaxhueshme, meqë mësimin në këtë shkollë do ta zhvillojnë vetëm klasat e 6-ta, kurse nga java tjetër do të kthehen edhe klasat e tjera.
E prindërit shprehen të lumtur për hapjen e shkollave, por thonë se kanë një lloj frike për shkak të përhapjes së virusit.
Gjatë ditës ministri i Arsimit, Ramë Likaj bashkë me atë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, dhe drejtoreshën e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, kanë vizituar shkollën “Iliria”, dhe Shkollën e Gjelbër në Prishtinë. Nga atje kanë uruar nxënësit për fillimin e vitit shkollor, teksa kanë sugjeruar respektimin e masave. Sipas vendimit që e kanë marrë MASH-i dhe komunat ditë më parë, mësimi do të fillojë në dy faza. Më 14 shtator është paraparë të nisin mësimin klasat 0 deri në 6 dhe klasa e 10-të.
Kurse faza e dytë e mësimit do të nisë më 21 shtator. Në këtë fazë përfshihen klasat 7, 8 e 9 11 e 12.