“Kërcënimi” i Odës së Avokatëve të Kosovës mbajti pezull për gati një vit procesin gjyqësor ndaj Shaban Gogajt. Pas tërheqjes së OAK-së nga vendimi i saj, që ndalonte avokatët të përfaqësojnë Gogajn, këtë javë pritet të rifillojë procesi gjyqësor normalisht. Familjes së të ndjerit Agonis Tetaj, sipas avokatit të tyre, pezullimi i rastit i ka dëmtuar emocionalisht.
Pak ditë para se të bëhen plot një vit që nga ndërprerja e shqyrtimit gjyqësor, për vrasjen e Agonis Tetajt këtë javë pritet që ky proces të rifillojë.
Seancat gjyqësore ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj u shtynë vazhdimisht që nga qershori i vitit të kaluar, për shkak të përjashtimit të avokatit të tij, Besnik Berisha.
Oda e Avokatëve të Kosovës për më shumë se 10 muaj mbajti në fuqi vendimin që të mos caktohet asnjë avokat tjetër, në këtë rast me kërkesën që trupi gjykues ta rikthejë Berishën.
Por në seancën e radhës gjyqësore pritet që të marrë pjesë edhe avokati Haxhi Çeku, i caktuar sipas detyrës zyrtare. Çeku ka konfirmuar se është caktuar avokat i Shaban Gogajt dhe se do të marrë pjesë në seancë.
Pezullimi i rastit që mori vëmendjen e opinionit e të institucioneve në fillim të vitit të kaluar, sipas avokatit të familjes Tetaj, ka shkaktuar dëme emocionale tek prindërit e viktimës.
“Te familja e dëmtuar ka ndikuar jashtëzakonisht keq për shkak se unë po flas për nënën e Agonisit, e cila është gjithnjë e më e shqetësuar lidhur me këtë çështje penale dhe vetë ajo më ka thënë se është në ankth prejse kjo çështje është ndërprerë dhe për shkak të disa individëve kjo çështje është prolonguar”, ka thënë avokati Berat Tmava.
Sipas Tmavës, përfaqësuesit e OAK-së duhet të japin përgjegjësi për zvarritje të këtij procesi.
Shpreson që ky rast të marrë epilog sa më shpejt.
“Unë besoj dhe jam i bindur se kontributin më të madh në zvarritjen e kësaj lënde e ka dhënë Oda e Avokatëve të Kosovës me një vendim të kundërligjshëm. Pse e them se është i kundërligjshëm, sepse vetë Oda e Avokatëve diku pas 1 viti atë vendim e ka shfuqizuar”, ka shtuar ai.
Pas përjashtimit të avokatit mbrojtës të Shaban Gogajt, trupit gjykues në Pejë disa herë kishte caktuar avokatë të tjerë pa ndihmën e OAK-së, por të cilët nuk iu përgjigjën ftesës asnjëherë, për çka edhe disa prej tyre u gjobitën.
Për të shfuqizuar vendimin e OAK-së me të cilin “kërcënonte” avokatët me tërheqje licence nëse pranojnë përfaqësimin e Gogajt, u desh reagimi i të gjitha institucioneve të Kosovës.
Por, i suksesshëm rezultoi vetëm paralajmërimi i Këshillit Gjyqësor për shkëputjen e memorandumit të bashkëpunimit.
Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, në vendin e punës vrau Agonis Tetajn.