Pas një varg kërkesash e ankesash nga qytetarët e Komunës së Lipjanit, kundër krijimit të deponive ilegale të mbeturinave, Komuna ka nisur hartimin e një plani ideor për menaxhimin e mbeturinave.
Kjo strategji e Komunës ka për qëllim t’i pastrojë të gjitha deponitë e mbeturinave në të gjitha lokalitetet dhe t’i mirëmbajë hapësirat publike.
Rreth kësaj çështje ka pasur edhe debate publike me qëllim që qytetarët të japin mendimet e tyre rreth kësaj strategjie.
Sipas zyrtarëve komunalë është duke u punuar edhe në hartimin e një rregulloreje të veçantë për menaxhim të mbeturinave për gjithë territori e komunës.
KOHA, ditë më parë ka raportuar për deponitë e mbeturinave në Lipjan, të cilat shpeshherë po krijohen nga persona të paidentifikuar.
Arsim Jashari, shef i grupit të kuvendarëve të PDK-së në Lipjan, në debatin e fundit me qytetarë rreth hartimit të rregullores së re për menaxhim të mbeturinave, ditë më parë, ka thënë se mbeturinat po e vështirësojnë jetesën e qytetarëve nëpër lokalitete derisa ato janë krijuar në shumë pika afër shtëpive të banimit, afër shkollave, lumenjve dhe në hapësira e gjelbra. Sipas tij, ky problem mund të zgjidhet vetëm me kontraktimin e kompanive dhe me fushata vetëdijësuese. Ai ka thënë se në komunën e Lipjanit është konstatuar nga organizata të ndryshme se ka më së shumti deponi ilegale të mbeturinave. “Aktualisht mungon strategjia për zvogëlimin dhe eliminimin e deponive ilegale. Mungon kompania për rritjen e shkallës për vetëdijesimit, ndërgjegjësimit dhe informimit për mos hedhjen e mbeturinave. Sipas vizitave të cilat i kam bërë në terren, janë mbi 30 deponi ilegale nëpër lokalitete, ku shumica e mbeturinave janë nga materiali ndërtimor, nga demoilmi dhe inerte. Prandaj hartimi i një strategjie dhe një plani ideor është i domosdoshëm dhe shumë urgjent për qytetarët e Komunës”, ka thënë Jashari.

Bekim Krasniqi, drejtor në organizatën joqeveritare “YAHR” në Lipjan, ka thënë për KOHEN se për çdo ditë pranojnë ankesa nga qytetarët për deponit e mbeturinave të cilat po krijohen nga qytetarë të komunave të tjera. “Kemi raste sipas qytetarëve që deponitë brenda një lokaliteti krijohen nga qytetar të komunave të tjera dhe nuk mund të identifikohen. Prandaj është mirë që sa më shpejtë të hartohet një rregullore e re ose një plan ideor se si të menaxhohen këto mbeturina dhe të aktivizohen edhe organet tjera si inspektorati e policia për identifikimin e personave që hedhin mbeturina vend e pa vend. Ne si OJQ do të vazhdojmë të reagojmë derisa qytetarët të kenë një ambient të pastër në lokalitetet ku ata jetojnë dhe derisa institucionet përkatëse ta kryejnë punën e tyre në vetëdijesim dhe monitorim të pikave të caktuara ku krijohen depozitë ilegale”, ka thënë Krasniqi.
Në Komunën e Lipjanit kanë thënë se aktualisht për hartimin e rregullores së re janë duke organizuar debate publike me qytetarë për të marrë edhe mendimet e tyre.
Ndërkohë nëpërmjet një shkrese zyra për informim në këtë Komunë ka njoftuar se ditë më parë në Lipjan është diskutuar me qytetarët hartimi i Rregullores për shërbimet publike, rendin komunal dhe Plani komunal për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Lipjanit. “Në këtë debat me qytetar janë elaboruar pikat me kryesore të këtyre dy draft dokumenteve të cilat janë në fazën e konsultimeve me publikun dhe planifikohet të dërgohen për shqyrtim dhe miratim në seancën e Kuvendit Komunal të muajit tetor. Diskutimet janë bërë në mënyrë të hapur për shumë çështje kryesisht rreth Planit të Menaxhimit të mbeturinave me theks të veçantë, identifikimin e pikave ilegale të mbeturinave si dhe grumbullimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim në këtë komunë.