Arbëri

Pas 8 muajsh, AKP-ja ia dorëzon Agjencisë së Pyjeve mijëra hektarë të Ekonomisë Pyjore

Agjencia e Privatizimit ka marrë vendim për t’ia dorëzuar Agjencisë së Pyjeve me mijëra hektarë të Ekonomisë Pyjore, gjë kjo që ishte kërkuar me Ligjin për Pyje. Ani se me vonesë prej 8 muajsh, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, në AKP nuk kanë treguar se sa prona janë dorëzuar dhe se përse një vendim i tillë nuk është marrë më herët

Rreth tetë muaj që pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pyjet, Bordi i Agjencisë së Privatizimit ka marrë vendim që mijëra hektarë të ndërmarrjes Ekonomia Pyjore t’ia dorëzojë Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.

E gjithë kjo është bërë pas interesimit të KOHËS rreth një muaj më parë, kur në valën e re të shitjes së aseteve me likuidim janë përfshirë edhe zona pyjore, por që bazuar në Ligjin për pyje, ato do të duhej që t’i kalonin në kompetencë Agjencisë së Pyjeve.

Vendimi i Bordit të AKP-së është marrë më 30 nëntor. Në këtë vendim thuhet se aprovohet largimi nga autoriteti dhe administrimi i AKP-së, si dhe dorëzimi-pranimi i të gjitha Ekonomive pyjore dhe Ekonomive të Gjuetisë, si dhe të gjitha pronave që evidentohen në emër të Ekonomisë Pyjore apo Ekonomia e Gjuetisë.

“Menaxhmenti të koordinojë ngushtë me Agjencinë e Pyjeve dhe Agjencinë Kadastrale të gjitha veprimet, sigurimin e informatave që mungojnë si dhe të sigurohemi që do të ketë koordinim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës me rastin e hartimit të akteve nënligjore për interpretimin e saktë të neneve të caktuara për të cilat kemi dilema në mënyrë që dorëzim-pranimi të jetë sa më korrekt, i plotë dhe i saktë”, thuhet në vendimin e AKP-së.

KOHA ka kërkuar informata edhe nga Ministria e Bujqësisë, përkatësisht nga Agjencia e Pyjeve, nëse paraprakisht ka pasur interesim nga këto institucione që pronat pyjore të cilat janë nën menaxhimin e AKP-së të kalojnë në pronësi të shtetit, siç parashihet me Ligji, porse as pas një muaji nuk ka marrë përgjigje nga asnjëra instancë.

Me Ligjin e ri për Pyjet është saktësuar që pyjet dhe tokat pyjore regjistrohen me pronarë Qeveria e Kosovës.

Sipas AKP-së, ndërmarrjet e ekonomive pyjore që janë regjistruar tashmë si ndërmarrje shoqërore nuk menaxhohen nga AKP-ja, porse janë prona të shtetit që menaxhohen nga Agjencia e Pyjeve.

Nga ky institucion nuk kanë treguar se sa prona të tilla kanë qenë në menaxhim të AKP-së deri më tani dhe se përse ato nuk kanë kaluar edhe më herët në pronësi të shtetit. Nuk kanë treguar as se sa prona të ndërmarrjeve të ekonomive pyjore janë privatizuar gjatë procesit të privatizimit.

AKP-ja ka vazhduar me valën e shitjes së aseteve nëpërmjet likuidimit, ani se kryeministri Albin Kurti e pati premtuar shuarjen e kësaj Agjencie me ardhjen e tij në pushtet.

Në kuadër të valës së fundit ishte shpallur shitja e 37 aseteve, kryesisht toka bujqësore e lokale, për të cilat janë paraqitur 80 oferta. Në AKP nuk kanë treguar nëse ka pasur koordinim me Qeverinë për shpalljen e valës së re të shitjes. E as për listën finale të aseteve që mendohet t’i kalohet Fondit Sovran.

E Edison Jakurti, i cili ishte pjesë e ekipit punues për themelimin e Fondit Sovran, ditë më parë e ka kualifikuar si dhimbshme dhe befasuese vazhdimin e privatizimit sikurse përherë. Sipas tij, kjo po bëhet me gjithë premtimet që privatizimi jo vetëm që nuk do të vazhdojë në të ardhmen porse edhe se do të ketë hetim për ato që kanë ndodhur në të kaluarën.

“Grupi punues për themelimin e Fondit Sovran e ka propozuar listën me asete që mund të kalojnë në Fondin Sovran, por nuk ka sugjeruar që pjesa e mbetur e aseteve të privatizohet. Përcaktimi i fatit të këtyre aseteve nuk ka qenë detyrë e jona”, ka theksuar Jakurti.

Ai ka thënë se në grupin punës kanë dhënë sugjerime që mandati i AKP-së të transformohet në menaxhues.

“Ndonëse as përcaktimi i së ardhmes së AKP-së nuk ka qenë në mandatin tonë. Ne kemi i kemi sugjeruar Qeverisë që të transformohet mandati i AKP-së nga ai privatizues në menaxhues të procesit të shlyerjes së detyrimeve potenciale të akumuluara deri tani”, ka thënë ai.

Jakurti ka theksuar se asetet që nuk kalojnë në Fondin Sovran mund të kalojnë në pronësi të komunave, të ndërmarrjeve ekzistuese publike apo në një ndërmarrje të re e cila do t’i menaxhonte ato.

Procesi i privatizimit ka nisur në vitin 2003. Ai është kritikuar vazhdimisht për jotransparencë, korrupsion dhe në disa raste është cilësuar edhe si “shkatërrues” i ndërmarrjeve shoqërore.