Arbëri

Pas 6 vjetësh shfuqizohet pëlqimi i lëshuar nga Ministria e Mjedisit për Planin Zhvillimor të Ferizajt

Pas gjashtë vjetësh, Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktgjykim të formës së prerë për shfuqizimin e pëlqimit të Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt, të cilin e pati dhënë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Për këtë kanë reaguar opozita e shoqëria civile, ndërkohë nga Komuna thanë se nuk e kanë ende vendimin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shfuqizuar pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me miratimin e Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt.

Për këtë, dy deputetët e Vetëvendosjes nga Ferizaj, Enver Haliti e Dimal Basha, të martën në një konferencë për media, i akuzuan udhëheqësit e Komunës për dhënie të lejeve ndërtimore pa kritere. Haliti tha se në vitin 2017 si opozitë e patën ngritur zërin për miratimin, sipas tij, antiligjor e me dokumente të falsifikuara.

“Tashmë edhe qytetarët e dinë se është një plan jo i mirë dhe antiligjor që ka degraduar tej mase qytetin e Ferizajt dhe janë dhënë leje pa u përfillur asnjë kriter në bazë të dokumenteve dhe ligjeve që e rregullojnë këtë fushë”, tha Haliti.

Deputeti tjetër Dimal Basha ka akuzuar kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, i cili, sipas tij, po vazhdon ta degradojë qytetin.

“... nuk largohet përgjegjësia prej të parit të Komunës sepse ai ose është duke jetuar në një vend tjetër ose nuk mund të dalë në Ferizaj duke e parë e gjithë këtë krim urbanistik dhe me u sill kinse nuk po ndodh asgjë dhe me ia bë qytetarëve me duar se gjithçka është në rregull. Pra mendoj se ai është koka e komplet krimit urbanistik që i ka ndodhur qytetit”, tha Basha.

Nga organizata “Avonet” thanë se vetë qytetarët iniciuan padi për Planin zhvillimor.

“Aktgjykimi e tregon një pretendim dhe një të vërtetë të këtyre banorëve që kanë pretenduar dhe që kanë deklaruar se PZHK-ja është në kundërshtim me ligjin e Planifikimit Hapësinor por edhe që i ka elemente dhe dyshime për falsifikim të dokumenteve”, tha Kenan Gashi nga “Avonet”.

Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, u shpreh se institucioni nuk ka pranuar ndonjë vendim nga Gjykata.

“Gjykata paska marrë vendim në procedura administrative , e ka anuluar një pëlqim që ka qenë prej ministrisë me qëllim që PZHK-ja të ketë të drejtë të dalë në kuvend dhe të miratohet. Pra vendimi i Gjykatës nuk e konteston PZHK-në por e konteston procedurën administrative dhe ky është një dallim i madh”, tha Aliu.

Sipas Aliut, të gjitha lejet ndërtimore janë lëshuar në bazë të ligjeve në fuqi.