Arbëri

Partneriteti Kosovë-SHBA, kërkohet rishikim i politikave

Prioritetet globale të administratës së ardhshme amerikane nën drejtimin e presidentin Donald Trump, mund të lënë Ballkanin jashtë vëmendjes së duhur. Njohës të zhvillimeve thonë se një politikë më proaktive është thelbësore për të zgjidhur ngërçin aktual në dialogun e lehtësuar nga Brukseli dhe për të siguruar forcimin e integritetit territorial të shteteve të Ballkanit

Politikë që shmang vënien në pikëpyetje të kufijve territorialë dhe që përmirësojnë raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, është ajo që duhet synuar nga udhëheqjet e reja të vendeve përkatëse, thonë njohës të zhvillimeve. Derisa në SHBA në janar pritet inaugurimi i presidentit Donald Trump, një muaj më vonë Kosova mban zgjedhjet e përgjithshme, pas të cilave do të formohet qeveria e re. Deri tash Trumpi ka emëruar disa personalitete në pozita të ndryshme, por jo edhe një emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer thotë se më i rëndësishëm sesa emri i emisarit është politika që Trumpi do ta aplikojë në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, Ballkani mund të mos e ketë vëmendjen e duhur për shkak të zhvillimeve në pjesët e tjera të botës.

“Besoj se duhet të ketë një politikë të qartë para se të emërohet një i dërguar special. Dhe unë do të doja të shihja se cila është ajo politikë. Nëse politika është ndarje, nuk dua të shoh një të dërguar special. Nëse politika është forcimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo është një politikë që mendoj se mund të përdorë një të dërguar special. Pra politika duhet të jetë e para. I dërguari special është personalizim i asaj politike. Dhe nuk mendoj se duhet të kesh një të dërguar special nëse nuk ke një politikë”, ka thënë Serwer.  

Duke iu referuar të historikut të marrëdhënieve mes qeverisë Kurti 1 dhe ish-emisarit të Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Serwer thotë se Kosova duhet të angazhohet për raporte më të mira jo vetëm ShBA-në por edhe BE-në.

“Mendoj se është skandaloze që sanksionet e BE-së janë ende atje, dhe, e dini, ato nuk janë në themel të çështjes, dhe të gjithë e kuptojnë se tani ato po mbahen sepse janë një ose dy vende në Bashkimin Evropian që nuk duan t’i heqin sanksionet. Mendoj se marrëdhëniet me Evropën mund të përmirësohen. Veç saj, marrëdhëniet mund dhe duhet të përmirësohen edhe me Shtetet e Bashkuara. Por ju e dini, duhen dy persona për tango dhe amerikanët duhet ta bëjnë këtë, për të cilën mendoj se e kanë pasur gabim qasjen në lidhje me dialogun. Zbutja karshi Serbisë është politikë nga e cila amerikanët duhet të heqin dorë”.  

Analisti amerikan ka kritikuar politikat aktuale të administratës Biden dhe të BE-së në Ballkan. Sipas tij, politika e paqësimit ndaj Serbisë, nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara. Serwer ka sugjeruar se një politikë më e mirë do të ishte përforcimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve të Ballkanit, përfshirë Kosovën.  

Presidenti në ardhje Trump tashmë ka emëruar sekretarin e Shtetit, Marco Rubio si dhe Richard Grenellin përfaqësues për “misione të veçanta”.

Sipas analistit Demush Shasha, këto dy pozita janë të dënuara të jenë në konflikt me njëra-tjetrën, pasojat e së cilës do ta prekin edhe Ballkanin.

“Grenelli patjetër se do të vazhdojë të merret me Kosovën dhe Serbinë. Ai do ta bëjë këtë paralelisht dhe në tension me procesin e natyrshëm diplomatik të udhëhequr nga Departamenti i Shtetit. Po ashtu, ai tani më ka dëshmuar se ka qëndrime thelbësisht të ndryshme nga Kryeministri Kurti për dialogun Kosovë - Serbi. Është vështirë e imagjinueshme se si Kurti dhe Grenelli nuk do të vendosen përsëri në kurs kolizioni gjatë vitit 2025. Dhe ky raport patjetër se do ta trazojë skenën politike të Kosovës. Por shumë kush thotë se Presidenca e dytë e Trumpit edhe mund të na befasojë për të mirë. Ndoshta edhe mundet”, ka shkruar Shasha në një opinion në “Koha Ditore”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së ka nisur në vitin 2011 në Bruksel, ndërsa procesit mbështetje në vazhdimësi i ka dhënë ShBA-ja. Gjatë presidencës së parë të Trumpit ishte caktuar edhe një emisar i posaçëm për dialogun, Kosovë-Serbi. Nën ndërmjetësimin e Richard Grenellit më 4 shkurt 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Me ardhjen e Presidentit Joe Biden, përfshirja e ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, u bë vetëm nëpërmjet të dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

E në Bruksel, Kosova dhe Serbia u dakorduan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve më 18 mars 2023 në Ohër. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por Bashkimi Evropian që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se ajo është obligative për palët.

Marrëveshja 11 pikëshe e arritur në Ohër më 18 mars 2023 mes tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Po ashtu Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.