Me gjithë sfidat shumta, me të cilat nxënësit me aftësi të kufizuara ballafaqohen nëpër shkolla, partitë politike nuk e kanë përfshirë përmirësimin e mirëqenies së tyre në fushatë dhe as në programe qeverisëse. Asnjëra prej subjekteve kryesore politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk ka pasur premtime për punësimin e asistentëve të nevojshëm për këta nxënës
Udhëzimi administrativ për asistentë për nxënësit me aftësi të kufizuara parasheh që, për të pasur efektivitet në procesin mësimor, një asistent mund të kujdeset për dy fëmijë.
Halil Brahaj, ushtrues detyre i drejtorit në shkollën “Pavarësia”, ka thënë se për mbulimin e nevojave të këtyre fëmijëve në ndihmë dalin edhe prindërit e tyre.
“Nga 19 fëmijë që i kemi, gjashtë mbulohen nga shërbimet që i ofron Komuna e Prishtinës, disa të tjerë mbulohen nga prindër të cilët janë deklaruar se asistentë ka fëmija i im dhe nuk ka nevojë për asistente, pasi nuk dëshirojnë t’ua ndërrojnë. Gjithsesi nevojat në shkollën tonë janë për të paktën edhe dy asistentë”, ka theksuar ai.
Sipas të dhënave të ministrisë së Arsimit, për rreth 3.900 nxënës me aftësi të kufizuara janë të angazhuar 369 asistentë.
E partitë politike, të cilat e kanë garuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nuk i kanë trajtuar gjatë fushatës elektorale apo në programet e tyre problemin e nxënësve me aftësi të kufizuara.
Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe në Lidhjen Demokratike (LDK) nuk e kanë të përfshirë as në programin e tyre qeverisës punësimin e asistentëve nëpër shkolla.
Në Partinë Demokratike (PDK) kanë bërë premtim për përmirësimin e kushteve për fëmijët me aftësi të kufizuara, porse vetëm për ata që janë në edukimin e hershëm. E në koalicionin rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) e kanë të përfshirë një pikë në programin qeverisës për përmirësimin e kushteve për këtë kategori nëpër institucionet arsimore, porse lidhur me këtë nuk kanë dhënë premtime nëpër tubimet elektorale.
Sebahate Hajdini-Beqiri, drejtoreshë e Shoqatës “Down Syndrome Kosova”, ka shprehur vërejtjen se fëmijët me aftësi të kufizuara janë neglizhuar nga partitë politike.
“Është shpërfaqur niveli i vetëdijes së partive politike, të cilat nuk e shohin të rëndësishme që të parashohin një plan të veçantë për qytetarët me aftësi të kufizuara, përderisa kemi pasur premtime të veçanta për gratë, burrat, madje edhe vjehrrat. Për personat me aftësi të kufizuara është përmendur kalimthi në ndonjë debat televiziv, por asnjë përfaqësues i partive politike nuk ka shprehur vizion të qartë për këtë kategori”, ka theksuar ajo.
Bazuar në legjislacionin në fuqi, asistentë personalë duhet të kenë nxënësit me aftësi të kufizuara të rënda dhe të shumëfishta.
Vlerësimin e gjendjes së nxënësve e bën ekipi vlerësues pedagogjik për fëmijët me aftësi të kufizuara, i cili është në kuadër të Komunës.