Përfaqësuesit politikë nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë që ua dha presidentja Vjosa Osmani për takim, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për konstituimin e Kuvendit. Njohës të çështjeve kushtetuese thonë se zgjidhja e kësaj bllokade u takon vetëm përfaqësuesve politikë dhe se çështja nuk është për trajtim në Gjykatën Kushtetuese. Kryesuesi i seancës nuk ka dhënë sqarime se çfarë hapash do të ndiqen që mbledhja konstituive e së shtunës të jetë e suksesshme
Kryesuesi i seancës konstituive dhe përfaqësuesit e partive politike nuk kanë shprehur gatishmëri që të takohen me presidenten Vjosa Osmani, për ta bërë funksional Kuvendin e Kosovës. Pas dështimit të parë të seancës konstituive, presidentja ishte shprehur e gatshme të takohej me ta. Por, as pas dështimit të dytë, përfaqësuesit politikë nuk janë interesuar t’i japin zgjidhje problemit bashkë me presidenten si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve.
“Deri më tani, kryesuesi i seancës konstituive dhe përfaqësuesit politikë nuk i janë drejtuar presidentes Osmani për takim, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për konstituimin e Kuvendit. Presidentja, siç ka theksuar edhe në letrën e saj zyrtare, mbetet plotësisht e hapur për t’i pritur liderët, nëse e konsiderojnë të nevojshme në gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen e presidencës.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se zgjidhja e ngërçit politik për konstituimin e Kuvendit nuk është as çështje e presidentes e as e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë situatë ai thotë se janë vetëm deputetët ata që duhet dhe mund t’i japin zgjidhje problemit nëse merren vesh mes vete. Baraliu thotë se nuk është gabim as hedhja e sërishme në votim e raportit të verifikimit të mandateve e as formimi i një komisioni tjetër për përpilimin e këtij raporti.
“Nuk është gabim as njëra as tjetra, është çështje vetëm se a do të pajtohen ata që kanë kundërshtime në pikëpamje dhe do të duhej për këtë arsye sa më parë që të konsultohen brenda këtij 48-orëshi subjektet politike që janë pjesë e këtij komisioni”, ka thënë ai.
Por, avokati Ardian Bajraktari që e sheh si mundësi interpretimin e kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, ka thënë se janë dy opsione për të ndalë nga ngërçi politik nëse s’ka reflektim nga dy taborët politikë. Ai ka thënë se mungesa e vendimmarrjes po e komplikon më tej situatën.
“Janë dy mundësi: të votohet (raporti), dhe palët që pretendojnë se raporti ka shkelje, ta çojnë në Kushtetuese. Ose, të vihet në votim, të votohet kundër, dhe pala tjetër që mendon se raporti është në rregull, ta dërgojë në Kushtetuese. Këto janë dy opsione nëse nuk ka reflektim”, deklaroi Bajraktari.
KOHA ka pyetur kryesuesin e seancës, Avni Dehari dhe Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, se cilët do të jenë hapat që do të ndiqen për konstituimin e Kuvendit në seancën e 19 prillit, por nuk janë përgjigjur.
Mazllum Baraliu thotë se në këtë seancë deputetët duhet të tregojnë përgjegjësi për mandatet që i kanë marrë nga qytetarët.
“Subjektet politike pushtet opozitë, trupërisht po them me keqardhje, me qëllime të caktuara po i bëjnë këto dhe kjo nuk i shkon në favor as nuk i bën nder asnjë subjekti politik, asnjë deputeti sepse mandatin e kanë marrë për ta përdorur për ta vu në funksion për ta ushtruar me nder dhe ata po luftojnë kundër mandatit të vetë, çfarë logjike ka kjo?”, është shprehur ai.
Konstituimi i Kuvendit ka ngecur për shkak të votimit me shumicë votash kundër raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve.