Arbëri

Partitë nuk heqin dorë nga kandidatët me dënime e aktakuza

Kandidatë që kanë dënime të plotfuqishme dhe të tillë mbi të cilët rëndojnë aktakuza për vepra të ndryshme penale kanë përfshirë në listat e tyre partitë politike. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për dekriminalizim të politikës, partitë kanë vazhduar të fusin në lista personat që kanë probleme me ligjin. E një institut që fushëveprim e ka drejtësinë ka identifikuar kandidatët prej të gjitha partive që janë duke u ballafaquar me gjykata

Kandidatët që kanë probleme me ligjin do ta kërkojnë votën e qytetarëve edhe në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Pavarësisht thirrjeve për dekriminalizim të politikës, partitë politike kanë përfshirë në listat e tyre edhe persona të cilët kanë dënime të plotfuqishme apo rëndojnë akuza mbi ta.

Kjo është theksuar në një raport të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), që ka identifikuar një kandidat i cili në tre vjetët e fundit ka dënim të formës së prerë, një kandidat me një dënim më të vjetër se tre vjet dhe nëntë kandidatë të tjerë që janë duke u ballafaquar me aktakuza aktive.

Partitë politike të cilat kanë përfshirë më së shumti persona që kanë probleme me ligjin janë Lëvizja Vetëvendosje, PDK-ja e AAK-ja me nga tre (3) kandidatë, pasuar nga Nisma me një kandidat. IKD nuk ka identifikuar ndonjë kandidat nga radhët e LDK-së që ka probleme me ligjin.

Leotrim Gashi nga IKD ka thënë se partitë vetëm deklarativisht premtojnë se nuk do të kandidojnë persona që kanë probleme me ligjin.

“Mirëpo fatkeqësisht, siç ka ndodhur në të kaluarën, edhe tani, pavarësisht se subjektet kryesore politike në vazhdimësi kanë thënë se ne dëshirojmë të qeverisim me persona që kanë duar të pastra dhe të cilët nuk kanë probleme me ligjin, në çdo palë zgjedhje po shohim persona të njëjtë që, pavarësisht se janë dënuar e kanë aktakuza, janë pjesë e zgjedhjeve dhe kërkojnë pozita të larta publike”.

“Kemi rekomanduar në vazhdimësi që partitë politike të mos përfshijnë kandidatë me aktakuza, aq më tepër të dënuar, veçmas tash kur e kemi një aktgjykim që është vënë në praktikë. E kemi rastin kur edhe kryeministri aktual nuk ishte certifikuar për shkak të veprës. Pavarësisht kësaj, partitë kanë vazhduar të kandidojnë kandidatë me aktgjykime dënuese”.

Gjykata Kushtetuese, me vendimin 21 dhjetorit të vitit të kaluar, e kishte shpallur të pavlefshëm mandatin e deputetit Etem Arifi, për shkak të një dënimi të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit. Sipas IKD-së, ky rregull duhet të vlejë edhe për zgjedhjet lokale.

Kandidati i vetëm që ka dënim të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit është Sami Lushtaku, që garon për Skenderajn.

KOHA ka kontaktuar Lushtakun, por është përgjigjur një këshilltar i tij, që nuk ka dashur t’i përmendet emri.

“Këta janë duke dashur ta interpretojnë si po duan, mundet me pasë edhe tendenca politike, por s’jemi duke u marrë me këtë. Janë dorëzuar propozimet dhe të shohim tash çka. Po besojmë se në aspektin ligjor jemi gjithçka në rregull. Po besojmë se aktgjykimi ka të bëjë ekskluzivisht me rastin Etem Arifit, pastaj është zgjeru pak për deputetët e Kuvendit të Kosovës për me ruajt reputacionin e Kuvendit”, ka thënë ai.

Lushtaku në tre vjetët e fundit ka gjithsej tri aktgjykime dënuese.

Veprat penale për të cilat është dënuar janë “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, kanosje dhe arratisje e personit të privuar nga liria”.

Nga radhët e PDK-së, IKD-ja ka paraqitur edhe dy kandidatë mbi të cilët rëndojnë aktakuza.

Është Sokol Bashota, kandidat për kryetar të Klinës, dhe Murtez Zekolli për Suharekën.

Kurse nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje është Mimoza Kusari-Lila, rasti i së cilës ndodhet në proces në Gjykatën e Shkallës së Parë, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kurse Valon Ramadani që garon për Ferizajn ka akuzë për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm. Ndërkaq Kadri Rrahimaj, që garon për Kamenicën, akuzohet për “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

“KOHA” ka provuar të marrë një qëndrim nga Kusari-Lila dhe zyra për informim e Vetëvendosjes, por nuk janë përgjigjur.

Në AAK është Rrustem Berisha, kandidat për kryetar të Pejës, që ndodhet në proces gjyqësor pranë Gjykatës së Apelit për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin Veteranët.

I kontaktuar nga “KOHA”, Berisha ka thënë se ai nuk ka asnjë problem me ligjin.

e di që është e përfunduar. Edhe tash për shkallë më të lartë, s’e di a ka shku a qysh u shku. Unë personalisht jo, është vendim i Gjykatës se jemi liru prej aktakuzës dhe nuk është gjetur asnjë dëshmi për atë vepër”, ka thënë Rrustemi.

Në proces gjyqësor për konflikt interesi ndodhet edhe kandidati tjetër i AAK-së për Klinën, Zenun Elezaj. Kurse Faton Jakupi është në proces gjyqësor për mos raportim ose raportim të rremë të pasurisë.

Ndërkaq Zafir Berisha, kandidat i Nismës për kryetar të Komunës së Prizrenit, ka një dënim të formës së prerë, i cili është më i vjetër se tre vjet.

Më 20 gusht 2015 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren me 140 euro gjobë, i cili dënim është bërë i formës së prerë për veprën penale “Lidhja e paautorizuar në shërbime”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar gjatë javës në institucionet përgjegjëse emrat e mbi 3 mijë kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike, e të cilët kanë kërkuar certifikimin për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Shkresat me listat e emrave të kandidatëve u janë dërguar Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Doganës së Kosovës dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Sipas KQZ-së, kandidat nuk mund të jetë një person që është gjykatës apo prokuror dhe i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit.

Sipas planit operacional të KQZ-së, deri më 23 gusht duhet të përfundojë procesi i dërgimit të kërkesave në këto institucione dhe KQZ-ja do të presë përgjigje nga këto institucione më së largu deri më 24 gusht.

Ndërkaq, deri më 1 shtator KQZ-ja duhet të marrë vendim për certifikimin e kandidatëve.

Legjenda: Partitë politike të cilat kanë përfshirë më së shumti persona që kanë probleme me ligjin janë Lëvizja Vetëvendosje, PDK-ja e AAK-ja me nga tre (3) kandidatë, pasuar nga Nisma me një kandidat. IKD nuk ka identifikuar ndonjë kandidat nga radhët e LDK-së që ka probleme me ligjin