Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike, Ardian Shala nga Lidhja Demokratike dhe Shemsedin Dreshaj nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma, secili ka premtuar se nëse partia e tyre vije në pushtet qytetarët do të kenë sigurim shëndetësor gjatë mandatit të ardhshëm. Dallimi është vetëm periudha në të cilën pritet të nisë implementimi, bazuar në atë se çka thënë kandidatët për deputet të martën në debatin në KTV.
Fatmire Kollçaku nga partia në pushtet ka thënë se zbatimit i ligjit për sigurim shëndetësor do të nisë në fund të mandatit të ardhshëm.
“Baza është krijuar për veprime dhe zbatimin e ligjit për sigurim shëndetësor publik. Mandatin që po përfundon nuk ka qenë i mundur edhe sikur në fillim të mandatit të miratohej që ligji të zbatohej. Tani është pasqyrë krejt tjetër. Zbatimi bëhet përfundimisht në fund të mandatit të ardhshëm. Kemi rregulluar sektorin farmaceutik në të cilin perceptimi ka qenë se gjithçka është e korruptueshme, plus rimbursimi i barnave”, ka thënë ajo.
E Bekim Haxhiu nga PDK-ja ka thënë se ndër prioritetet e para do të jetë implementimi i sigurimit shëndetësor, i cili sipas programit të partisë më të madhe opozitare, do të nisë së zbatu në dy vjetët e para.
“Prioriteti i parë është implementimi i sigurimit shëndetësor gjatë dy vjetëve të para të Bedri Hamzës në qeveri. Në dy vitet e para fillon zbatimi. Katër vjet u është dashur me shkru një projektligj të lodhtë kësaj qeverie. Nuk ka ligj të shërbimeve shëndetësore, nuk ka as listë të çmime, sistemi i informimit shëndetësor është siç ka qenë, nuk është bërë asnjë hap përpara. Buxheti që ka qenë i destinuar për të, nuk janë shfrytëzuar mjetet. Duhet bërë digjitalizimi i sistemit shëndetësor”, ka theksuar Haxhiu.
E Ardian Shala ka thënë se me LDK-në në pushtet, sigurimi shëndetësor do të nisë së zbatuari që në vitin e parë të qeverisjes.
“Ne e kemi planin konkret për sigurimin shëndetësor dhe jemi bazuar shumë edhe në afate kohore qysh rrjedhin. Në vitin e parë do t’i ndajmë 140 milionë euro për funksionalizimin e implementimin për sigurimet shëndetësore nga buxheti i shtetit, në vitin e dytë pritet të mblidhen premiumet – 3.5 për qind e paguan qytetari, pjesën tjetër punëdhënësi. Ne e kemi në zotim që do ta fillojmë nga viti i parë. Ligjin që e ka formuar kjo qeveri kanë shkuar ad-hoc, nuk ka as listë të shërbimeve, as çmimore. Ne do t’i bëjmë që në vitin e parë”, ka deklaruar Shala.
Sipas Shemsedin Dreshajt nga koalicioni AAK – Nisma, nëse nuk ka pengesa administrative e politike, qytetarët do ta kenë sigurimin shëndetësor pas katër vjetëve.
“Në variantin më të mirë, mua më nevojiten dy vjet që ta implementojë sigurimin shëndetësor. Në variantin normal, nëse nuk ka pengesa administrative dhe politike, mua më duhen katër vjet që qytetari ta ketë shërbimin shëndetësor. Kryeministri i nominojë shëndetësinë dhe arsimin si prioritet në mbledhjen e parafundit të Qeverisë, por prioritet qeverisë për shëndetësi me 3.4 për qind të GPD-së, vërtet është e papritshme t’i adresojë problemet që ka ky vend”, ka thënë Dreshaj.
