Një nga premtimet elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje, ai për themelimin e Bankës Zhvillimore, që është edhe pjesë e programit qeveritar, nuk ka shanse të bëhet sipas opozitës. Paralajmërimi i ministrit të Financave se Banka do të themelohet, nga opozita është vlerësuar si riciklim i një premtimi të bërë para katër vjetësh
Deklarata e ministrit të Financave Hekuran Murati, se Banka zhvillimore po bëhet, nga opozita është konsideruar përsëritje e premtimit të bërë katër vjet më parë.
Ministri Murati, të dielën nëpërmjet një videoje që shpërndau në Facebook, tha se me ndihmën e Bankës Botërore, së shpejti do të fillojë puna për themelimin e Bankës Zhvillimore dhe shtoi se po përmbushet edhe një premtim i Qeverisë.
Por, deputetja e Lidhjes Demokratike Hykmete Bajrami, u shpreh se themelimi i kësaj banke është i pamundur deri më 9 shkurt, kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare.
Bajrami tha se deri tash nuk është bërë asnjë hap në drejtim të kësaj nisme dhe se Vetëvendosje do ta bëjë të njëjtin premtim edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e radhës.
“Për një iniciativë të tillë do të duhej të kishte fillimisht një analizë për të parë nëse ka nevojë të kemi, duke e marrë parasysh faktin se ne e kemi një sektor bankar shumë të zhvilluar. Mandej, do të duhej të paraqiteshin objektivat, të shihej sa nga do të vinte financimi, cilët janë sektorët që do të mbështeteshin dhe mandej natyrisht që do të duhej ndonjë iniciativë ligjore. Deri më tani ne nuk e kemi parë as edhe një hap”, ka thënë Bajrami.
E koordinatori i Departamentit për Financa në Partinë Demokratike, Arben Mustafa tha se Banka Zhvillimore do të mbetet një nga shumë premtimet e papërmbushura të Qeverisë Kurti.
“Riciklimi i premtimit për bankën zhvillimore vetëm se tregon joseriozitetin dhe dështimin e kësaj qeverie në raport me premtimet që i kanë dhënë në fushatën e kaluar zgjedhore! Për 4 vjet, as edhe një fjalë për bankën zhvillimore, e tash paskan vendosur të kthehet përsëri si premtim! Kjo është tallje me qytetarët!” – tha Mustafa.
Ministri Murati, në postimin e së dielës në Facebook tha se në kuadër të këtij projekti parashihet mbështetje nga Banka Botërore në vlerë rreth 50 milionë euro. Sipas tij, në kuadër të Bankës Zhvillimore do të mbështeten sektorët e energjisë së ripërtëritshme, prodhimi, eksporti dhe bujqësia.
KOHA ka nisur pyetje në Ministrinë e Financave lidhur me këtë projekt, se pse nuk është realizuar deri më tash, a është kërkuar ndihma e Bankës Botërore edhe më herët dhe a është themeluar ndonjë grup ekspertësh. Por, përgjigje nuk ka marrë.
Banka Zhvillimore është përfshirë në Programin Qeveritar 2021-2025 të publikuar në web-faqen e Kryeministrisë. Por kësaj Qeverie i kanë ngelur edhe 3 muaj mandat.