Arbëri

Partitë ende të papërcaktuara për datën e zgjedhjeve – njohësit favorizojnë shkurtin

Kanë marrë start veprimet institucionale për organizimin e zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Përfaqësues të subjekteve politike kanë thënë se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes për t’u konsultuar rreth datës së organizimit të votimit, por nuk kanë treguar se për cilën nga datat, prej 26 janarit deri më 16 shkurt, janë. E njohës të procesit zgjedhor kanë favorizuar shkurtin si kohë më të përshtatshme për zgjedhje

Partitë politike parlamentare kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë më 31 korrik në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani për t’u konsultuar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve nacionale.

Kosova ka hyrë brenda afateve ligjore në kuadër të të cilave presidentja mund të shpallë zgjedhjet e rregullta parlamentare. Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) kanë shprehur gatishmëri për ta pranuar cilëndo datë, brenda kohës së paraparë me ligj.

Alim Rama, sekretari organizativ i kësaj partie, është shprehur se është e rëndësishme që për herë të parë në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë, një Qeveri dhe legjislaturë po e mbyllë një mandat të plotë.

“Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk lënë shumë opsione dhe ato opsione ligjore që ekzistojnë, e që janë katër data, nuk janë larg njëra-tjetrës. Sidoqoftë, ne jemi të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato shpallen, ndërsa lidhur me datën e mundshme, ne do ta japim propozimin tonë për kohën më të përshtatshme për qytetarët dhe këtë do ta bëjmë të ditur në takimin me presidenten e Republikës, pas vlerësimit të të gjitha rrethanave”, ka thënë Rama.

Zyrtarë të tri subjekteve kryesore politike në opozitë, Partisë Demokratike (PDK), Lidhjes Demokratike (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë konfirmuar për KOHËN se do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja, porse nuk kanë treguar se për cilën datë janë.

Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e PDK-së, ka thënë se data me të cilën partia e saj pajtohet do të shpaloset gjatë takimit.

“Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës. E kemi obligim kushtetues e ligjor që të marrim pjesë në një takim të tillë. Ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe për datën e preferuar do ta themi aty”, ka thënë ajo.

Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe zëdhënësi dhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i cili ka thënë se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, do ta shprehë preferencën e tij për datën në takim me presidenten.

E zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, ka thënë vendimi do të merret nga strukturat e partisë.

“Nuk shohim ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve, por sidoqoftë vendimin për këtë çështje do ta marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë”, ka thënë ai.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, më së herëti zgjedhjet do të mund të mbahen të dielën e 26 janarit dhe më së voni më 16 shkurt, 30 ditë para përfundimit të mandatit të deputetëve.

Mazllum Baraliu, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka thënë se muaji shkurt do të ishte më i përshtatshëm për organizimin e votimit sesa janari, për shkak të temperaturave të ulëta që mbizotërojnë në fillim të vitit.

“Të ketë vullnet politik të shumicës së subjekteve politike dhe institucioneve, në këtë rast të presidentes, që të caktohet një datë e cila është edhe brenda afateve kushtetuese dhe ligjore dhe është më e përshtatshme për votuesit por edhe për subjektet politike që të përgatiten më mirë”, ka thënë Baraliu.

Ligji për zgjedhje është ndryshuar gjatë këtij mandati, por ndodhet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim, pas ankesës se me ndryshimet e bëra në të nuk është adresuar çështja e përfaqësimit të barabartë gjinor në listat e kandidatëve.

Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së, ka thënë se pas ndryshimeve ligjore janë miratuar 15 rregullore zgjedhore dhe ka paralajmëruar se përgatitjet intensive do të nisin pas shpalljes së datës së zgjedhjeve.

“Së fundmi, KQZ-ja ka miratuar edhe Rregulloren Zgjedhore për votimin jashtë Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon përgatitjet intensive për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, në kuptim të realizimit të aktiviteteve sipas afateve të përcaktuara me ligj, pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre”, ka thënë Elezi.

Zgjedhjet e fundit parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021. Kryeministri Albin Kurti i ka bërë ftesë opozitës për zgjedhje të parakohshme gjatë verës nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, porse asaj pozitivisht i është përgjigjur vetëm PDK-ja.