Qëndrimi në shtëpi për ditë të tëra si shkak i përhapjes së koronavirusit ka bërë që qytetarët, kryesisht të moshuar, pas disa ditëve qëndrimi brenda të dalin në natyrë.
Të dy të pensionuar, çifti Ymeri thotë se ata janë përkujdesur për marrjen e masave duke mbajtur distancën nga të tjerët, por që dalja, sipas tyre, është e domosdoshme në këtë kohë, raporton KOHA.
Edhe për tre të moshuar të tjerë, pavarësisht që janë ndër më të rrezikuarit nga “Covid-19”, nuk kanë qëndruar në shtëpitë e tyre.
Kanë vendosur që kohën ta kalojnë me lojë shahu në Parkun e Gërmisë.
Të tjerë qytetarë thonë se ata nuk i kanë ndalur zakonet e tyre të përditshme të shëtitjes, por që po i respektojnë disa prej masave të kërkuara nga Qeveria.
E si shkak i rritjes së numrit të qytetarëve, të cilët po i frekuentojnë parqet ditëve të fundit, Komuna e Fushë-Kosovë u ka kërkuar qytetarëve që të mos e frekuentojnë parkun rekreativ “Te Pishat në Sllatinë” dhe të respektojnë vendimet dhe rekomandimet shtetërore në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.