Një “zip linë” si në Pejë është në plan të ndërtohet nga Butovci në drejtim të Gërmisë.
Por ai që u prezantua si ‘’Parku i aventurave’’ është shndërruar në “parkun e sherrit’’ mes Komunës së Prishtinës e organizatave joqeveritare për mbrojtje të mjedisit.
Gjatë së enjtes dy prej këtyre OJQ-ve dorëzuan në komunë një kërkesë për rishikim të projektit që, sipas tyre, po shpërfill rekomandimet e Institutit Kosovar për Mbrojtjen e Natyrës.
Flutra Zymi, përfaqësuese e organizatës “Qytetarët Aktivë’’, thotë se Parku i Gërmisë është peizazh që duhet mbrohet e që, sipas saj, ndërtimi i këtij parku e bën të kundërtën.
Zymi shton që përmes kësaj kërkese synojnë që të ngrihet edhe një debat publik se përse kompetencat për parkun i kanë kaluar Drejtorisë së Kulturës e jo asaj të Parqeve në Prishtinë.
Përmes një përgjigjeje me shkrim nga Drejtoria e Kulturës kanë thënë se lokacioni i zgjedhur është i padëmshëm për natyrën.
Komunarët thonë se do të bëjnë kujdes në instalim për të mos dëmtuar drurët dhe biodiversitetin e kësaj pjese të Gërmisë.
‘’Parku përfshin një sipërfaqe prej 70 ari dhe përshin sfida, të cilat janë të ngritura në një lartësi të caktuar prej tokës. Vizitorët do të jenë të fokusuar tek hyrja, biletaria, pranë rrugës kryesore të asfaltuar, pranë së cilës do të ketë ulëse druri dhe shërbimi mere me vete. Meqenëse të gjitha sfidat janë të ngritura lart prej tokës vizitorët nuk do të shkelin bimësinë dhe nuk do të shkatërrojnë biodiversitetin e kësaj pjese të Gërmisë. Të gjitha shtigjet që do të ndërtohen në këtë pjesë do të orientojnë vizitorët për të qenë të fokusuar në fillim dhe jo përgjatë krejt shtrirjes së parkut, në këtë mënyrë duke menaxhuar dhe duke mos lejuar qarkullim në pjesët e thella të Gërmisë’’, ka thënë Blerta Basholli nga Drejtoria për Kulturë.
Basholli ka treguar se drejtoria me të cilën ajo udhëheq në komunë posedon të gjitha lejet e mundshme mjedisore dhe pëlqimet e tjera të nevojshme.
Sipas saj, projekti ka nxitur pakënaqësinë e vetëm një numri të vogël të OJQ-ve pasi që ka shume organizata të tjera që janë pajtuar me një park të tillë.