Për më shumë se 40 vjet Sami Kika ka shfrytëzuar njërën prej barakave brenda hapësirave të oborrit të Universitetit të Prishtinës për objekt banimi.
Megjithatë, nisja e punimeve të parkingut nëntokësor atë bashkë me banorët e tjerë të këtij pavijoni do t’i gjejë jashtë këtyre hapësirave.
Ai thotë se Komuna i ka njoftuar ata se duhet të largohen prej këtu për t’u zhvendosur në një hapësirë tjetër me qira, të cilën ata nuk e pranojnë.
Sipas tyre, zgjidhjet e ofruara nga Komuna nuk janë të pranueshme dhe se paraprakisht është dashur të mendohej për një lokacion para urdhrit për zhvendosje.
Ankesa për këtë vendim të Komunës kanë edhe banorë të tjerë të pavijonit, që e quajnë vendim të padrejtë e të ngutshëm, derisa nuk pajtohen me marrëveshjen e ofruar nga Komuna, raporton KOHA.
Përmes një përgjigjeje me shkrim nga Komuna e Prishtinës kanë thënë për KTV-në se Komuna do t’ua subvencionojë qiratë këtyre familjeve deri në gjetjen e zgjidhjes së përhershme të banimit, e cila po ashtu do të merret përsipër nga Komuna.
“Komuna merr përsipër zgjidhjen e përhershme dhe derisa ajo të bëhet subvencionon qiratë. Kjo vlen për të gjithë ata që posedojnë kontrata të shfrytëzimit të përhershëm, edhe pse ato janë në mes tyre dhe Qendrës së Studentëve që nga viti 1973, me gjithë që pronësia i takon Komunës. Banorët janë njoftuar disa herë radhazi gjatë këtij viti nga Komuna se aty do të fillojë ndërtimi i parkingut nëntokësor. Së fundi janë intensifikuar takimet për të rënë dakord për zgjidhjen. Do t’iu subvencionohet qiraja për 6 muaj, por do të jenë të obliguar që gjatë kësaj periudhe të sjellin dokumentacionin përkatës, i cili dëshmon të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm. Në të kundërtën, subvencionimi nuk do të vazhdojë në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Planifikimit Strategjik.
Në përgjigjen e Komunës tutje thuhet se marrëveshja mes tyre dhe banorëve të këtyre barakave do të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme, dhe se secili nga ta do të posedojë marrëveshjen e nënshkruar nga Komuna.