Pamje të oxhaqeve plot tym shoqërojnë më së shumti kryeqytetin prej momentit të parë kur ulen temperaturat.
E me një situatë të tillë më së shpeshti përballen qytetarët e lagjeve “Tophane”, “Kodra e Trimave”, “Medrese” dhe “Kolovicë”, të cilët edhe më tutje shfrytëzojnë drurin apo qymyrin si resurse kryesore për ngrohje.
Për t’i shmangur ngrohjet e tilla, që ndikojnë negativisht edhe në cilësi të ajrit, vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës, bashkë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe Grupin e Bankës Gjermane për Zhvillim (KFË), nisën projektin për ngrohje me energji solare.
Por, që atëherë projekti ka ngecur për shkak të parcelës ku do duhej të vendoseshin panelet solare.
Konsulentët kishin zgjedhur një lokacion në Shkabaj për vendosjen e tyre, por që i njëjti është caktuar nga Qeveria e Kosovës për një projekt tjetër, atë të ndërtimit të shtëpive për banorët e zhvendosur të Hades.
Problemin me Qeverinë e ka konfirmuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Është bërë fizibiliteti dhe toka që është përzgjedhur nga donatorët ka edhe një projekt tjetër të Qeverisë. Jemi në bisedime sepse BERZH-i dhe KFW po thonë se nuk ka vend më të mirë për projektin në fjalë”, ka thënë Ahmeti.
“Pas përfundimit me sukses të studimit të fizibilitetit, ne mund t’jua konfirmojmë se në bashkëpunim edhe me Grupin e Bankës Gjermane për Zhvillim do ta financojmë projektin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes me panele solare për Prishtinën, përafërsisht me prodhim vjetor prej 50 GWh. Përkundër disa vështirësive, si dhe për shkak të përhapjes së koronavirusit, projekti ka mbetur në përgatitje, por ende i pazbatueshëm. Jemi duke planifikuar që të nisim me financimin e këtij projekti vitin tjetër, ashtu që të hapet rruga për fillimin e punimeve në këtë drejtim”, ka thënë Axel Reiserer nga Zyra për Media e BERZH-it.
Është ngrohtorja “Termokos’’ ajo e cila do të merret me projektin dhe e cila thotë se për problemin pronësor është kyçur edhe Komuna e Obiliqit.
“Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Qeverinë e Kosovës, jemi duke u angazhuar edhe për sigurimin e pronës adekuate, ku do të duhet të vendosen panelet solare. Sigurimi i kësaj prone, që është përcaktuar nga ‘Termokos’ dhe propozuesi i projektit (Banka Gjermane për Zhvillim- KfW), është vetëm njëra nga parakushtet për fillimin e realizimit të këtij projekti”, kanë thënë nga “Termokosi”. “Realizimi i këtij projekti planifikohet të zgjasë dy vjet. Procedurat për marrjen në shfrytëzim të parcelës për vendosjen e paneleve solare nuk kanë përfunduar ende. Në këtë çështje, përveç Komunës së Prishtinës dhe Obiliqit, për ta ndihmuar procesin është kyçur edhe Ministria e Mjedisit”.
Por, Prishtina nuk mund t’i vendosë panelet solare në këtë parcelë, thonë në Ministrinë e Mjedisit. Sipas tyre, kjo tokë është në Komunën e Obiliqit dhe i përket planit rregullativ ku do të bëhet Hadja e Re, Shkabaj.
Niveli qendror thotë se është i gatshëm ta ndihmojë Prishtinën në këtë projekt nacional me shpronësim, por në një pronë që i përket Komunës së Prishtinës.
‘’Gjatë takimit jemi dakorduar që NP ’Termokos’ të punoj në dy opsione: të diskutojë me Komunën e Prishtinës në mënyrë që të gjejë ndonjë lokacion tjetër për këtë projekt pasi që është shumë i rëndësishëm për zgjerimin e rrjetit për banorët e Prishtinës( si opsioni më real dhe i zbatueshëm në rastin konkret) NP ’Termokos’ mund t’i drejtohet Qeverisë së Kosovës nëse ajo do të pajtohej që parcelat e propozuara t’i ipen NP ’Termokos’ për realizimin e projektit. Sipas opsionit të dytë është shumë e pa mundur që Qeveria t’i japë këto dy parcela në shfrytëzim NP ’Termokos’ pasi që këto janë brenda Lokacionit ‘Hade e Re’ në Shkabaj i ndërtuar sipas ‘Planit Urban Rregullativ’ dhe sipas këtij Plani në këto dy parcela është paraparë ndarja e trojeve për banorët e zhvendosur nga fshatrat e Zona ‘Fusha e Mihjes së Re’ dhe numri i trojeve është shumë më i vogël në krahasim me kërkesat për zhvendosje”, kanë thënë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.
E për shumë prej qytetarëve, shtrirja e rrjetit të ngrohjes qendrore në kryeqytet është e mirëseardhur ani pse, sipas tyre, e vonuar.
Për projektin në fjalë duhen edhe fonde të tjera, të cilat Termokos thotë se është duke i negociuar.