Ministria e Arsimit ka prezantuar draft-strategjinë për arsimin 2022-2026, kostoja e të cilit është paraparë të jetë 322 milionë euro. Dokumenti strategjik të cilin e ka prezantuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është orientuar në 5 fusha. Në dokument është theksuar se numri i kufizuar i inspektorëve ka paraqitur sfidë të vazhdueshme që të realizohen vlerësimet e jashtme dhe të brendshme në funksion të përmirësimit të procesit mësimor. Drafti i Strategjisë parasheh rritjen e kapaciteteve për inspektime dhe monitorime
Draft-strategjia për arsim për pesë vjet, përfshirë edhe vitin në të cilin jemi, tek tash ka dalë në konsultim publik. Dokumenti strategjik për periudhën 2022-2026, kostoja e të cilit është paraparë të jetë 322 milionë euro, është prezantuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ajo ka thënë se në ngadalësimin e hartimit dhe planifikimin për këtë strategji ka ndikuar pandemia e COVID-19.
Pesë objektivat që ia ka vënë vetes Ministria e Arsimit në këtë dokument janë: rritja e përfshirjes dhe qasja e barabartë në edukimin në fëmijërinë e hershme; ngritja e cilësisë së arsimit parauniversitar; harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet dinamike të teknologjisë dhe tregut të punës; përmirësimi i cilësisë, integritetit dhe konkurrueshmërisë së arsimit të lartë; si dhe përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim.
Nagavci gjatë prezantimit të këtij dokumenti ka theksuar se plani strategjik është orientuar në fushat të cilat kanë qenë edhe qëllimet strategjike të Qeverisë Kurti.
“Plani ynë strategjik është orientuar në 5 fusha, bazuar në qëllimet strategjike të Qeverisë, në arsimin cilësor, gjithëpërfshirës dhe të digjitalizuar, harmonizimin e arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës, menaxhimin efektiv të sistemit të arsimit në të gjitha nivelet, arsimin e lartë me cilësi dhe integritet në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe përmirësimin e mjedisit për kërkimet dhe inovacion”, është shprehur Nagavci.
Si hapa strategjikë, Nagavci ka përmendur edhe shtimin e numrit të inspektorëve si dhe rritjen e numrit të asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta.
“Në kuadër të objektivit strategjik 2 që ka të bëjë edhe me përmirësimin e cilësisë, është shtimi i numrit të inspektorëve të arsimit dhe rritja e kapaciteteve të asistentëve për të përkrahur nxënësit me aftësi të kufizuara”, është shprehur Nagavci.
Ajo ka thënë se për 5 vjet do të kenë 60 inspektorë të rinj të cilët do të ndihmojnë edhe në vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.
E numra nuk janë përmendur në draftin e strategjisë.
“Sigurimi i cilësisë është një ndër pikat më të dobëta të arsimit parauniversitar në Kosovë. Për ta funksionalizuar sistemin për sigurim të cilësisë është i domosdoshëm ndërtimi i kapaciteteve në të gjitha nivelet. Numri i kufizuar i inspektorëve ka paraqitur sfidë të vazhdueshme që të realizohen vlerësimet e jashtme dhe të brendshme në funksion të përmirësimit të procesit mësimor. Prandaj, planifikohet jo vetëm rritja e kapaciteteve për inspektime dhe monitorime, por edhe përgatitja dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i inspektorëve”, thuhet në këtë dokument. “Mbështetje këtij procesi do t’i ofrohet përmes krijimit të ekipeve profesionale, por edhe fuqizimit të rolit të aktiveve shkollore dhe koordinatorëve të cilësisë në shkolla, komuna dhe MASHTI”.
Derisa ka folur për objektivin për rritje të përfshirjes dhe qasje të barabartë në edukimin në fëmijërinë e hershme, që përfshin moshën 0-6 vjeç, Nagavci ka thënë se për këtë duhet infrastrukturë, si dhe staf shtesë.
“Krijimi i mjediseve të shëndetshme me kushte adekuate për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe sigurimi i resurseve njerëzore janë të planifikuara specifikisht në këtë plan strategjik, dhe përfshin edhe ndërtimin e objekteve e të reja, edhe adaptimin e hapësirave ekzistuese, por paralelisht edhe krijimin e stafit adekuat edhe kompetent që do të punojë me fëmijët në këtë moshë të hershme”, ka deklaruar Nagavci.
Draft-strategjia do të jetë në diskutim publik deri më 8 korrik, në faqen e konsultimeve publike, ku ekspertët, grupet e interesit dhe qytetarët mund të dërgojnë komente dhe sugjerime.