Arbëri

Parashihet rritje e temperaturave javën e ardhshme

Parashikimi i motit

Foto: KOHA

Gjatë javës së ardhshme në Kosovë moti pritet të jetë relativisht i ngrohtë. Temperaturat minimale parashihen të lëvizin mes minus 2 gradë celsius dhe 3 gradë, ndërsa maksimalet parashihet të arrijnë deri në 14 gradë. 

“Kjo situatë meteorologjike është rezultat i ndikimit të disa qendrave të presionit të ulët, të cilat kanë përfshirë disa rajone të Evropës. Gjatë pesë ditëve të ardhshme, moti do të jetë kryesisht i vranët, me intervale të herëpashershme me diell, të cilat do të ndikojnë në rritjen e temperaturave gjatë mesditës. Përveç kësaj, në periudha të kufizuara, parashihen edhe riga lokale shiu”, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK). 

Të hënën moti do të jetë kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri 6 gradë celsius. 

Të martën parashihet mot me diell e vranësira të shpërndara. Ndërsa temperaturat minimale do të sillen mes minus 2 gradë celsius dhe zero gradë, ndërsa maksimalet mes 7-11 gradë celsius. 

“Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit”, ka njoftuar IHMK. 

Të mërkurën do të jetë moti me vranësira e intervale me diell. Ndërsa temperatura maksimale do të arrijë deri në 12 gradë celsius. 

Të enjten moti do të jetë kryesisht i vranët dhe vende-vende me mundësi shiu. Temperaturat minimale do të sillen mes 0-3 gradë celsius e maksimalet mes 9-13 gradë. 

Të premten moti do të jetë i vranët dhe me intervale të shkurtra me diell. 

“Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0°C deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga -9°C deri në 14°C. Era do të fryjë e lehtë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 m/s”, ka bërë të ditur IHMK.