Arbëri

Parashihet krizë e brendshme energjetike në tre vjetët e ardhshëm

Vjetërsia e blloqeve të termocentraleve dhe remontet e planifikuara në dy njësitë e “Kosovës B” pritet që të shkaktojnë ndërprerje të mëdha të energjisë, sipas Kornizës Afatmesme të shpenzimeve, përpiluar nga Qeveria. Mungesa e prodhimit të energjisë pritet që të plotësohet me import, në atë që do të ndikojë në rritjen e kostos së energjisë

Ndërprerje të mëdha të energjisë që do të ndikonin në prodhim, investime dhe në konsum, ka parashikuar Qeveria e Kosovës në Kornizën Afatmesme të shpenzimeve për vitet 2024-2026.

Shkak për këtë, sipas dokumentit të miratuar në fundjavën e shkuar, thuhet se është pasiguria në furnizim nga prodhuesi vendor, për shkak të kapaciteteve të vjetruara.

“Nëse furnizimi i pasigurt i energjisë elektrike vendase has në vështirësi për shkak të kapaciteteve të vjetruara të prodhimit të energjisë, mund të ketë ndërprerje të rënda të energjisë, që do të ndikonin negativisht në prodhim dhe rrjedhimisht në investim dhe konsum, të cilat do të gjeneronin kosto fiskale shtesë, ashtu siç ndodhi në fund të vitit 2021 dhe fillim të vitit 2022”, thuhet në dokument.

Në periudhën afatmesme, ky rrezik, bazuar në dokumentin e Ekzekutivit, konsiderohet të jetë më i ulët për shkak të uljes së çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe rehabilitimit të kapaciteteve prodhuese të termocentralit Kosova B.

Por, sipas Adhurim Haxhimusës, ligjërues në Universitetin e Shkencave të Aplikueshme të Grizonit në Zvicër, remontet e parapara të blloqeve të Termocentralit “Kosovës B” do të ndikojnë në furnizim të qëndrueshëm me energji.

Ai ka thënë që në rast se remonti fillon në korrik dhe zgjat deri në tetor, atëherë pritet që 10 orë brenda ditës të ketë mungesë të rrymës, boshllëk ky që ka theksuar se duhet të plotësohet me import.

“Nëse i marrim çmimet e energjisë elektrike që janë në tregjet e energjisë elektrike, atëherë një çmim prej 120 euro për megavat llogaritet se kostoja do të sillet rreth 30 milionë euro për remontin e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse remontet shtyhen në dimër atëherë kostoja do të rritet për 30 deri në 40 për qind.

“Tërësia e kostos si pasojë e rinovimit të këtyre blloqeve, atëherë llogaritet të jetë 60 deri në 80 milionë euro”, ka theksuar Haxhimusa.

Mungesa e energjisë do të shkaktojë humbje të mëdha te bizneset dhe familjet si dhe nuk do ta përjashtojë as një rritje të sërishme të çmimit të energjisë.

Haxhimusa ka theksuar se aktualisht është vështirë që të jepet një përgjigje në rast se investimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) mund të kenë ndonjë efekt në rritje të çmimit të energjisë.

“Në aspektin afatgjatë, nëse keni parasysh që KEK-u arrin të reduktojë kostot e prodhimit si pasojë e këtyre renovimeve, kjo mund pak a shumë të balancohet, por kjo vetëm nëse shtrihet në një periudhë më të gjatë kohore”, ka theksuar ai.

Nëse ajo shtrihet në një periudhë të shkurtër kohore, Haxhimusa thotë se pa dyshim do të duhej të rriteshin çmimet.

“Nuk besoj që (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) ZRRE-ja e merr një periudhë të shkurtër, por i merr këto shpenzime dhe i shpërndan në 10 apo 15 vjet, aq sa pritet të kenë jetëgjatësi këto blloqe pas rinovimit, atëherë nuk besoj që ka nevojë të ketë rritje të këtyre tarifave si pasojë e remontit të këtyre blloqeve”, ka theksuar ai.

Në Kornizën afatmesme të shpenzimeve parashihet rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë, modernizimi i rrjetit si dhe rritja e kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme në prodhimin e energjisë.