Pas konfirmimit të dënimit për deputetin e Listës Serbe, Ivan Todosojeviq, i cili masakrën e Reçakut e kishte quajtur trillim, Lista Serbe ka përmendur mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve. Sipas analistëve, paralajmërimet për bojkotim dhe pamundësi të mbajtjes së zgjedhjeve në veri janë lojë politike e Beogradit, i cili nëpërmjet viktimizimit dhe shantazheve është duke bërë fushatë për Listën Serbe
Paralajmërime për bojkotim dhe pamundësi të mbajtjes së zgjedhjeve lokale kanë dhënë kryetarët e komunave veriore, që popullohen me shumicë serbe. Reagimi ka ardhur pas konfirmimit të dënimit nga Gjykata e Apelit me dy vjet burgim për deputetin e Listës Serbe, Ivan Todosojeviq, i cili Masakrën e Reçakut e kishte quajtur trillim.
Lista Serbe pretendon se janë shkelur marrëveshjet e Brukselit, teksa ka paralajmëruar se vendimi do të merret pas konsultave brenda partisë.
“Duke pasur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të Prishtinës për t’i zbatuar marrëveshjet e Brukselit, të cilat janë në interes të popullit serb, dhe se nuk ka asnjë reagim nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që është garantues i këtyre marrëveshje, ne duhet të ngremë zërin tonë qartë në emër të qytetarëve tanë. Për shkak të situatës së re dhe pas konsultimeve që do të bëjmë brenda partisë sonë, do të shqyrtojmë nëse do të jetë e mundur të organizohen zgjedhjet e ardhshme lokale në komunat tona në veri, sepse mbajtja e këtyre zgjedhjeve dhe pjesëmarrja e qytetarëve nga veriu bazohet në Marrëveshjen e Brukselit, që është shkelur”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Por, analisti dhe gazetari Branislav Kërstiq, që vepron në veriun e populluar me shumicë serbe, gjithë këtë e quan lojë të Beogradit.
“Anomiziteti mes Beogradit dhe autoriteteve në Prishtinë po ndihet në veri, si edhe në pjesët e tjera. Njoftimi për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve lokale është i pamatur politikisht dhe nuk ka asnjë justifikim logjik. Një vendim i tillë do të ishte në dëm të të gjithë qytetarëve dhe me siguri se do ta bllokonte edhe procesin e negociatave në Bruksel. Jam i sigurt se mentorët e Beogradit zyrtar nga grupet e interesit euro-atlantik nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. Po ashtu Beogradi do ta vendoste veten në pozitë për t’u akuzuar nga Prishtina se po bllokon zgjedhjet, negociatat e shumë çështje të tjera”, ka thënë Kërstiq për “Kohën”.
“Se a do të ketë rikthim të barrikadave, me siguri se jo. Sepse në veri nuk ekziston vullneti i qytetarëve për atë. Ne i kemi bosët e mafisë dhe njerëzit janë vetëm robër të kabinetit që ka instaluar Beogradi”.
Pas vendimit të Apelit, bojkotit i kanë hyrë gjyqtarët serbë që punojnë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës së Veriut.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kjo është e papranueshme, teksa ka shtuar se çështjen është duke e trajtuar me Këshillin Gjyqësor.
“Për mua është e papranueshme që gjyqtarët të bojkotojnë punën e tyre për shkak të vendimeve qoftë të pushtetit ekzekutiv apo gjyqësor. Në këtë rast është rasti i dytë, së pari kemi pasur bojkot të punës kur është vendosur tarifa ndaj mallrave serbe dhe tani kemi bojkot të punës së tyre për shkak të vendimit të Gjykatës së Apelit, ku e konfirmon vendimin e shkallës së parë për Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes”, ka thënë Haxhiu.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të marrë masa lidhur me bojkotin për faktin se askush prej gjyqtarëve që paguhet me taksat tona nuk mund të bëjë bojkot. Ata nuk mund ta bëjnë këtë dhe duhet të ndërmarrin masa për bojkotin”.
Prej disa ditësh zyrtarët serbë janë ankuar për rritje të presionit nga institucionet e Kosovës. Si provokim e kanë konsideruar edhe një aktivitet të Forcës së Sigurisë e cila ka shpërndarë maska nëpër disa qytete.
Prej vitit 2013, kur për herë të parë u mbajtën zgjedhjet edhe në katër komunat veriore, raporte vendore e ndërkombëtare kanë konstatuar parregullsi, me presione e shantazhe, që të votohet vetëm Lista Serbe.
Ambient të njëjtë politik edhe për zgjedhjet lokale të tetorit është duke krijuar Serbia brenda territorit të Kosovës. Përveç mbështetjes shtetërore që po i ofrojnë Listës Serbe, zyrtarë nga Beogradi kanë nisur përurimin e objekteve për llogari të sistemit që Prishtina e konsideron ilegal.
Ngufatja e pluralizmit partiak në mesin e serbëve së fundi u denoncua edhe nga politikanë të këtij komuniteti. Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, ka thënë për “Kohën” se për shkak të ambientit aktual nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se të gjithë ata përfaqësues të serbëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale të Kosovës, të caktuara për 17 tetor, dhe që nuk janë pjesë e Listës Serbe, nuk do të kenë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe të shtetit të Serbisë.
Kjo deklaratë e presidentit serb erdhi pas përçarjeve brenda Listës Serbe.
Njëri ndër themeluesit e Listës Serbe, Branimir Stojanoviq, ka vendosur të kandidojë si i pavarur për kryetar të Komunës së Graçanicës.
Lista Serbe e akuzoi atë për ndarje të popullit serb në Kosovë, ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me komunikatë zyrtare tha se vetëm kandidatët e Listës Serbe do të kenë mbështetjen e shtetit të Serbisë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Stojanoviq ishte zgjedhur kryetar i Graçanicës si kandidat i Listës Serbe. Ka qenë po ashtu zëvendëskryeministër i Kosovës në vitin 2014. Stojanoviq ka mbajtur edhe pozita të autoriteteve që Kosova i konsideron ilegale, si kryetar i përkohshëm i Komunës së Suharekës. Por në një konferencë për media më 17 gusht, Stojanoviq njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
“Shumë njerëz janë të pakënaqur, shumë njerëz do të jenë në gjendje që në zgjedhje të thonë se çfarë mendojnë për mënyrën në të cilën përcaktohen sot kandidatët që konkurrojnë pranë Listës Serbe”, ka thënë Stojanoviq.
Por analisti Kërstiq thotë se do të jetë vështirë të mposhtet Lista Serbe edhe në jug të Ibrit.
“Stojanoviq do të jetë opozitë serioze në Graçanicë, pasi duket se ka edhe mbështetjen ndërkombëtare dhe me siguri se fiton një përqindje, por jo aq sa ta rrezikojë fitoren e Listës Serbe. Kjo për shkakun se shantazhimi i njerëzve me largim nga vendet e punës dhe humbje të përfitimeve është shumë i theksuar në ato vende ku udhëheq Lista Serbe”, ka thënë ai.
Politikani Stojanoviq e ka implikuar edhe anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban, se po i përzgjedh ata që duhet t’i përfaqësojnë serbët në institucionet e Kosovës.
Për ndërhyrjet e Llabanit, “Koha” ka raportuar në qershor se është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale me dyshimin për ushtrim presioni mbi votuesit në komunat e populluara me shumicë serbe, për llogari të Listës Serbe. Zyrtarë të Prokurorisë nuk e kanë pohuar e as mohuar nëse Laban është pjesë e manipulimit me zgjedhje.
Gjyqtarëve u ndalohet të merren me aktivitetet partiake, derisa Kushtetuta e rregulloret e Gjykatës Kushtetuese parashohin edhe masa sanksionuese për ata që ushtrojnë veprimtari të tilla.
Laban, një ish zyrtar i doganave, ishte dënuar në vitin 2012 me gjashtë vjet burgim, si pjesë e një grupi prej shtatë doganierësh dhe dhjetë afaristësh të akuzuar për kontrabandë milionëshe. Të gjithë ata ishin arrestuar në vitin 2006. Pas shpalljes së dënimit, Laban i ishte shmangur vuajtjes së dënimit duke ikur në Kosovë.
Me dyshimin se zgjedhjet në komunat ku udhëheq Lista Serbe janë orkestruar duke votuar një iniciativë rome dhe një tjetër boshnjake, organet përgjegjëse në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit kishin anuluar mijëra vota në ato komuna. Çështja e votave të komuniteteve është duke u trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, për të cilat edhe Avokati i Popullit ka dërguar komente. Në opinionin drejtuar Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e Partisë Liberale Egjiptiane dhe asaj Rome e Bashkuar e Kosovës që votat e partisë Romani Iniciativa të zgjedhjeve të përgjithshme të shpallen të pavlefshme në komunat ku ka disproporcion të votave me numrin e banorëve, Avokati i Popullit ka thënë se e sheh të rëndësishme dhe të nevojshme vlerësimin e kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese.
Më 14 shkurt, Romani Iniciativa arriti të marrë një ulëse në Kuvend nga komuniteti egjiptian. Ajo u raportua se është e afërt me Listën Serbe dhe se shumë prej votave i ka marrë në vendbanimet me shumicë serbe. Në rezultatet preliminare ishin ankuar disa parti të komuniteteve, ndërsa vendimi i PZAP dhe Supremes nuk ishte në favor të të gjithave. Ajo miratoi ankesat disa partive, por jo të Partisë Liberale Egjiptiane.