Që nga fillimi i këtij viti shkollor, ndjekja e mësimit në nivelin parafillor është bërë i obligueshëm për nxënësit në arsimin parauniversitar. Por, megjithëkëtë, parafilloristët në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë ka një javë që nuk kanë mbajtur orë të rregullta, shkaku i mungesës së mësimdhënëses. Prindërit ankohen se kjo situatë i ka demotivuar fëmijët e tyre, e në Drejtorinë e Arsimit thonë se problemi është zgjidhur
Ka një javë që parafilloristët në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë nuk kanë mbajtur orë të rregullta, për shkak të mungesës së mësimdhënëses.
Hilmi Mehmeti, i cili i ka dy nipa të regjistruar në nivelin parafillor në këtë shkollë, ka thënë se, si pasojë, procesi mësimor është mbajtur çdo ditë, por vetëm nga 15 minuta.
Mosmbajtja e procesit mësimor në kohëzgjatje prej dy orësh, sa parashihet me planprogram, sipas tij, ka qenë traumatizues për nipat.
“Sipas deklaratave të udhëheqësve të shkollës këtu, mësimdhënësja e mëhershme ka dalë në pension. Para disa kohësh ajo ka qenë e ditur dhe zëvendësimi është dashur të mbahej dhe jo fëmijët parashkollorë të traumatizohen, çka domethënë një fëmijë parashkollor me ardhë me gëzim që po shkon në shkollë, ndërsa kur të vjen këtu hyn 10 minuta pastaj del jashtë, do të thotë kjo është traumë e madhe që në start për një fëmijë që është parashkollor”, ka thënë ai.
Lidhur me çështjen, drejtori i shkollës, Nazif Jashari, nuk ka pranuar të deklarohet për KOHËN.
E ushtruesja e detyrës së drejtores për Arsim në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se mungesa e mësimdhënëses është shkaktuar si rrjedhojë e një interpretimi ligjor.
“Ka qenë një rast ku është dashur interpretim ligjor se cilën mësuese ta angazhojmë. Por është bërë zgjidhje”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se mësimdhënësja e re e ka nisur punën nga e marta. Por parafillorët e kësaj shkolle as të martën nuk mbajtën orë të rregullta.
Derisa KOHA qëndroi në shkollë, ata u liruan të shkonin në shtëpi pas 45 minutash mësim.
Bazuar në Ligjin e ri për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, nga ky vit shkollor është bërë e obligueshme ndjekja e mësimit për nxënësit e nivelit parafillor.