Arbëri

Paraburgim për dy vëllezërit për vrasjen në Lipjan, nuk përshkruhen rrethanat

30 ditë paraburgim u ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë dy vëllezërve nga fshati Dobrajë e Madhe e Lipjanit A.B. dhe B.B të dyshuar për vrasje dhe shtytje në vrasje të A.S.

Në kërkesën e paraburgimit të Prokurorisë thuhet se “pas vlerësimit të kallëzimit, provave materiale dhe informacioneve të siguruara nga ana e Policisë, shkresave dhe provave që gjendën në lëndë, Prokuroria ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer këtë vepër penale”, raporton KOHA.

Por, në kërkesën e Prokurorisë prej dy faqesh askund nuk përshkruhen rrethanat e kësaj vrasjeje, as arsyet dhe shkaktarët që çuan në këtë akt.

Aty vetëm thuhet se njëra prej arsyeve për caktimin e paraburgimit është se të pandehurit mund të ndikojnë në dëshmitarët e të cilët ende nuk janë intervistuar nga Prokuroria.

Përsëritja e veprës penale, gjithashtu, sipas Prokurorisë është një tjetër rrezik në rast se të arrestuarve u caktohet një masë më e lehtë.

Por, avokatja e njërit prej të arrestuarve thotë se klienti i saj është penduar për këtë vepër.

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi i të arrestuarit tjetër përmes telefonit i ka thënë KOHËS se ai do të bëjë ankesë në këtë kërkesë për shkak se, sipas tij, Prokuroria nuk ka pasur prova për klientin e tij.

Një ditë më parë, A.S. 42-vjeçar nga fshati Gllanicë e Lipjanit u vra me armë zjarri në një vendpunishte, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.

E gjithë ngjarja dyshohet se kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet punëtorëve, të cilët kanë udhëtuar së bashku me një kombibus të kompanisë së tyre.