“Ndërtimi i shkollës ka qenë në plan, siç e kemi pas planifikuar ne, të bëhet sivjet dhe vitin e ardhshëm, dhe në shtator të vitit të ardhshëm të hapet shkolla e re për vitin e ri shkollor”, tregon drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, planet që i kishte kjo drejtori kur është punuar projekti, por pa i kalkuluar zvarritjen e mundshme të tenderimit të projektit që gjashtë muaj dhe mosfunksionalizimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit që nga fundi i muajit mars
Objekti i ri shkollës fillore “Pjetër Budi” në fshatin Poqestë të Pejës, nuk do të mund të ndërtohet para vitit 2023. Në këtë objekt të ri shkollor procesi mësimor mund të nis më së hershmi në vitin shkollor 2023-2024. Në Drejtorinë e Arsimit kishim shpresuar se shkolla e re për nxënësit e këtij fshati do të jetë i gatshëm për shtatorin e vitit të ardhshëm. “Ndërtimi i shkollës ka qenë në plan, siç e kemi pas planifikuar ne, të bëhet sivjet dhe vitin e ardhshëm, dhe në shtator të vitit të ardhshëm të hapet shkolla e re për vitin e ri shkollor”, tregon drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, planet që i kishte kjo drejtori kur është punuar projekti.
Mirëpo, punimet në ndërtimin e këtij objekti vështirë që mund të nisin sivjet, për shkak se tenderi i shpallur në fillim të muajt mars ende nuk ka përfunduar. Madje, lënda e këtij tenderi që gati gjashtë muaj ende gjendet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Pasi ishte shpallur tenderi dhe ishte përzgjedh një operatori i propozuar për kontratë, në OShP kishte pas ankesa të operatorëve konkurrues në këtë tender. Pas ekspertizës, OShP kishte urdhëruar Autoriteti Kontraktues-Komuna e Pejës, që ta anulojë vendimin për dhënien e kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim. Por edhe pas rivlerësimit të tenderit, siç tha për KOHËN, menaxheri i Zyrës së Prokurimit në këtë komunë, Xhemë Berisha, ka pas ankesë në OShP. “Lënda është në OShP. Lënda është rivlerësuar dhe prapë ka përfunduar në OShP, i cili ndërkohë ka mbetur pa panel shqyrtues të ankesave të operatorëve”, tregon Berisha arsyen e zvarritjes së tenderimit të këtij projekti.
Kjo lëndë, sikurse edhe qindra ankesa tjera të operatorëve në aktivitetet edhe të autoriteteve tjera kontraktuese, është bllokuar në OSHP, për shkak se prej 31 marsi të sivjetmë i ka skaduar mandati bordit të OSHP-së, dhe në mungesë të panelit shqyrtues, nuk po shqyrtohen ankesat e operatorëve ekonomik për aktivitetet e prokurimit nga autoritetet kontraktuese. Organi Shqyrtues i Prokurimit ende nuk është funksionalizuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Vlera e parashikuar e kontratës në dokumentin e tenderimit për projektin e shkollës në fshatin Poqestë është 440 mijë euro, të cilat ishin planifikuar të ndahen për dy vite. Në dokumentin e Planifikimit përfundimtar të Prokurimit për sivjet figurojnë 220 mijë euro për ndërtimin e kësaj shkolle, ndërtimi i të cilës siç thotë drejtori i Financave, Jeton Abazaj, nuk do të mund të kryhet para vitit 2023. “Mjetet prej 220 mijë euro do të bartën në vitin e ardhshëm, sepse sivjet nuk besoj se do të mund të punohet diçka edhe po që se kryhet sivjet tenderimi i këtij projekti”, thotë Abazaj. Sivjet Komuna nuk kishte planifikuar mjete për këtë projekt për vitin e ardhshëm me pohimin se mjete që janë planifikuar për sivjet nuk ka kurrfarë mundësie të shpenzohen brenda këtij viti edhe nëse do të kontraktohej operatori sivjet.
“Shuma e mbetur planifikohet pastaj për vitin 2023, sepse nuk ka kurrfarë shance të ndërtohet shkolla për shtator të vitit të ardhshëm edhe shkaku i zvarritjes së procedurave të tenderimit. Ne jemi dëshmitarë gjithashtu edhe të dinamikës për ndërtimin e një shkolle, që brenda dy viteve nuk ka asnjë shkollë që është ndërtuar. Pra s’ka shancë me ndërtua shkollën brenda një viti”, tregon Abazaj arsyen pse në planin buxhetor, kur është bërë ndërkohë për vitin 2022 nuk figuron shuma tjetër për këtë projekt. Në dokumentin e shpalljes së tenderit për njoftim për kontratë, madje figuron afati prej tre muaj si plan dinamik për ndërtimin e kësaj shkolle nga dita e dhënies së kontratës. Mirëpo, menaxheri i Zyrës së Prokurimit të kësaj komune, Xhemë Berisha, pohon se ka qenë ndonjë gabim teknik që është përvjedhur kur është përgatit njoftimi për këtë tender, sepse siç shtoi ai, nuk mund kryhet ai objekt për tre muaj, por nuk treguar se është paraparë të jetë plani dinamik në këtë projekt, pasi të kontraktohet operatori.
E në Drejtorinë e shkollës fillore “Pjetër Budi”, shpresojnë që jo vetëm procedurat e tenderimit të përfundojnë sa ma shpejtë, por edhe vet ndërtimi i objektit të ri të shkollës. Atdhe Krasniqi, drejtor i shkollës fillore “Pjetër Budi”, që aktualisht ka 250 nxënës, tregon se objekti i aktual i shkollës në të cilën ndjekin mësimet nxënësit është ndërtuar para 30 viteve, dhe ky objekt sipas tij, nuk i plotëson më kushtet për mësim.
"Problemet në objektin e vjetër të shkollës janë izolimi, kulm, lagështia... dhe me kushte që i kanë dhomat e mësimit, sipas tij nuk do të mund të vendosnin as edhe ndonjë kabinet çfarë do qoftë ai, nëse do t’i dhurohej shkollës qetash. “Ka rëndësi të madhe ndërtimi i objektit të ri, i cili shpresoj që do të kryhet sa më shpejtë që është e mundur. Shpresojmë që nuk do të zvarritet ai tender se vërtet kemi nevojë për objektin e ri sa më parë që është e mundshme, sepse është në interes të nxënësve që ta kemi sa më parë objektin e ri bashkëkohor me pajisje të reja dhe me kabinete të ndryshme”, shpreson Krasniqi që prerja e shirit të objektit të ri të shkollës të mos pret shumë vite.