Paqartësi se kush ka të drejtë transmetimi të Ligës së Futbollit anglez në Kosovë janë shpërfaqur nga komunikimet që kjo ligë ka pasur me Komisionin Parlamentar për Media dhe Komisionin e Pavarur për Media. Derisa pesë muaj më parë KPM-së i ka thënë se “Digitalb” dhe “Arena Sport” mund të transmetojnë përmes palëve të treta, dy ditë më parë ka thënë se rrjeti kabllor “Artmotion” nuk ka të drejtë transmetimi të ndeshjeve të saj, nëpërmjet marrëveshjeve me “Arena Sportin”, që është në pronësi të Telekomit të Serbisë
Në komunikimet e Komisionit të Pavarur për Media dhe Komisionit Parlamentar për Media me “Premier League” ka kundërthënie rreth asaj se a kanë të drejtë kompanitë “DigitAlb” në shqip dhe “Arena” në serbisht, që nëpërmjet palëve të treta, ta transmetojnë Ligën angleze në territorin e Kosovës, ku ato nuk janë të licencuara.
Kjo çështje është aktualizuar pasi KPM-ja ia ka kthyer shërbimit kabllor “Artmotion” të drejtën e transmetimit të kanaleve të platformës serbe, “Arena”, të cilat janë ndalur për shkak të spoteve që i lartësonin terroristët e sulmit në Banjskë.
Komisioni Parlamentar për Media i ka drejtuar pyetje Premier Ligës, përgjigjet e së cilës dallojnë nga ato që i janë dërguar KPM-së në tetor të vitit të kaluar.
Jeton Mehmeti, kryetari i KPM-së, ka treguar se çfarë kanë përmbajtur ato.
“Sipas komunikimit që kemi pasur me Premier Ligën angleze, të drejtat për transmetimin e kësaj lige për Kosovë, për sezonet 2022/2023 deri 2024/2025, i kanë “Digitalb” në gjuhën shqipe dhe “Arena” në gjuhën serbe. Duke qenë se asnjëra nga këto dy kompani nuk janë të licencuara për të operuar në Kosovë, Premier Liga ua ka lejuar që të drejtat e transmetimit t'ua shesin palëve të treta. Palët e treta, që janë operatorë të shpërndarjes së licencuar nga KPM-ja, e kanë për obligim që marrëveshjet e ritransmetimit të kanaleve të huaja t'i dorëzojnë në KPM”, ka thënë Mehmeti.
E në përgjigjen që Premier Liga ia dërgoi pesë muaj pas kësaj Komisionit për Media, thuhet se Liga angleze nuk mund të transmetohet në Kosovë nëpërmjet “Artmotion”.
“”Premier League” nuk e ka autorizuar direkt “Artmotion” për t’i transmetuar ndeshjet e Premier Ligës në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar “Arenën” për t’i dhënë leje për ritransmetim të ndeshjeve të “Premier Leagues” në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Premier Ligës për Komisionin Parlamentar për Media.
KOHA ka pyetur Premier Ligën për ta sqaruar këtë situatë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë të enjtes.
Ndërkohë, pas publikimit të letrës që kjo ligë i ka dërguar Komisionit Parlamentar, KPM-ja ka dalë me reagim, duke thënë se këto janë informata të panjohura për KPM-në dhe se së shpejti do të ndërmerren hapat e duhur.
“KPM-ja njofton opinionin publik se sqarimet e dhëna nga “Premier League”, në letrën e datës 12 mars 2024, paraqesin informata deri më tani të panjohura për KPM-në dhe se së shpejti do të ndërmarrë hapat e duhur në lidhje me këtë çështje”, thuhet në sqarim.
Në KPM kanë sqaruar se më datën 27 shtator 2023 kanë kërkuar sqarime të detajuara nga Premier Liga në lidhje më të drejtat e “Arena”-s dhe “Digitalb”-it për transmetimin e Premier Ligës për territorin e Republikës së Kosovës.
“”Premier Leagues”, më datën 19 tetor 2023, i është përgjigjur kërkesës së KPM-së, duke sqaruar se të drejtat e ritransmetimit për ngjarjet sportive të Ligës angleze, për territorin e Republikës së Kosovës, për gjuhen shqipe i janë dhënë kompanisë “DigitAlb”, ndërsa për gjuhen serbe kompanisë “Arena”. Gjithashtu “Premier League” ka sqaruar se “Arena” dhe “Digitalb” kanë të drejtë të hyjnë në marrëveshje me operatorët e tretë për të siguruar ritransmetimin e Premier Ligës në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e KPM-së.
Komunikimi zyrtar KPM-Premier League dhe letra e Premier Leagues për deputetin Valon Ramadani.
Letra e parë nga Premier League për KPM-në
Data: 4 shtator 2023
Të nderuar zotërinj,
Shoqata e Futbollit Premier League Limited (“Premier League”) është ndërmarrja që organizon dhe administron ndeshjet e futbollit të Premier Leagues në Angli dhe Uells.
Premier League kontrollon gjithashtu të drejtat audiovizuale në mbarë botën për çdo ndeshje të Premier League të luajtur si pjesë e garës së futbollit të Premier League (secila, një “Ndeshje” dhe së bashku “Ndeshjet”) dhe është e vetmja përgjegjëse për licencimin e të drejtave audio-vizuale të drejtëpërdrejta për të gjitha ndeshjet në territoret në mbarë botën.
Ne jemi informuar se kompanitë me bazë në Kosovë që tregtojnë me emrat “Artmotion”, “Kujtesa” dhe “IPKO” po përdorin, shpërndajnë dhe transmetojnë ndeshje në territorin e Kosovës pa autorizimin e Premier League.
Prandaj, ne po shkruajmë për të konfirmuar identitetin e ndërmarrjeve të cilave u kemi dhënë të drejta televizive të drejtpërdrejta në lidhje me ndeshjet e Premier League gjatë tre (3) sezoneve futbollistike që fillojnë me sezonin 2022/2023 (“Afati”) në lidhje me territorin e Kosovës.
Prandaj, unë konfirmoj në emër të Premier League se Premier League ka bërë marrëveshje me:
(a) DIGIT-ALB SH.A (“DigitAlb”) për shfrytëzimin e disa të drejtave audio-vizuale për ndeshjet e Premier League, në bazë të së cilës DigitAlb ka të drejtë ekskluzivisht (sipas kushteve të asaj marrëveshjeje) që të bëjë transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve në gjuhën shqipe me anë të shpërndarjes DTH (d.m.th. satelitore), shpërndarjes IPTV, shpërndarjes të televizionit kabllor, televizionit digjital tokësor dhe transmetimit analog tokësor në (ndër të tjera) Kosovë gjatë Afatit; dhe
(b) Arena Channels Group LLC Beograd (“Arena”) për shfrytëzimin e disa të drejtave audio-vizuale në ndeshjet e Premier League, në bazë të së cilës Arena ka të drejtë ekskluzivisht (sipas kushteve të asaj marrëveshjeje) të bëjë transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve në gjuhën serbe me anë të shpërndarjes DTH (d.m.th. satelitore), shpërndarjes IPTV, shpërndarjes së televizionit kabllor, shpërndarjes së televizionit digjital tokësor dhe transmetimit analog tokësor në (ndër të tjera) Kosovë gjatë Afatit.
Në varësi të dispozitave të atyre marrëveshjeve, çdo transmetim i drejtpërdrejtë i një Ndeshjeje në Kosovë, i cili nuk është bërë nga ose me autoritetin e DigitAlb ose Arena gjatë Afatit, është bërë pa autoritetin e Premier Leagues.
Ne e kuptojmë se Artmotion, Kujtesa dhe IPKO po ritransmetojnë kanalet e Arenas “Arena Premium 1”, “Arena Premium 2” dhe “Arena Premium 3” që përmbajnë transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve, pa autoritetin e Arenas apo Premier League.
Ne besojmë se ky informacion do të jetë i dobishëm për ju. Ju lutemi na tregoni nëse mund të ofrojmë ndonjë ndihmë të mëtejshme.
27 shtator, 2023
Letra e kthimit nga KPM-ja për Premier Leaguen
I nderuar Z. Smith,
Ju njoftoj se pas marrjes së letrës suaj të shqetësimit lidhur me transmetimin e ndeshjeve të Premier League në Kosovë pa autorizimin tuaj është lëshuar urdhër për ndërprerjen e menjëhershme të transmetimit. Duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes, si Kryesues i Autoritetit Rregullativ të Mediave të Kosovës, do ta vlerësoja shumë nëse mund të na jepni më shumë informacion në lidhje me politikat e Premier League në lidhje me ofrimin e të drejtave të transmetimit për kompanitë jashtë territorit të tyre dhe mundësinë e rishitjes të të drejtave të transmetimit te palët e tjera. Nga letra juaj është e qartë se dy kompani të huaja (me bazë përkatësisht në Shqipëri dhe Serbi) kanë autorizimin tuaj për të transmetuar Premier League në Kosovë. Ju keni deklaruar se Premier League ka bërë marrëveshje me:
DIGIT-ALB SH.A (“DigitAlb”) për shfrytëzimin e disa të drejtave audio-vizuale në ndeshjet e Premier League, në bazë të të cilave DigitAlb ka të drejtë ekskluzivisht të bëjë transmetime të drejtëpërdrejta të ndeshjeve në gjuhën shqipe me anë të shpërndarjes DTH (d.m.th. satelit), shpërndarjes IPTV, shpërndarjes TV kabllor, shpërndarjes së televizionit digjital tokësor dhe transmetimin analog tokësor në (ndër të tjera) Kosovë gjatë Afatit; dhe,
Arena Channels Group LLC Beograd (“Arena”) për shfrytëzimin e disa të drejtave audio-vizuale në ndeshjet e Premier League, sipas të cilave Arena ka të drejtë ekskluzivisht të bëjë transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve në gjuhën serbe me anë të shpërndarjes DTH (d.m.th. satelitore), shpërndarjes IPTV, shpërndarjes TV kabllor, shpërndarjes së televizionit digjital tokësor dhe transmetimin analog tokësor në (ndër të tjera) Kosovë gjatë Afatit.
Megjithatë, meqenëse entitetet Digitalb dhe Arena nuk kanë asnjë lloj licence transmetimi në Kosovë, a i keni autorizuar ato që të nën-licencojnë ritransmetimin e njëkohshëm të ndeshjeve të Premier Leagues tek transmetuesit e palëve të treta në Kosovë? Cili është përkufizimi i të drejtave ekskluzive në gjuhën shqipe dhe atë serbe, a është në anën e gjuhës së transmetuesit apo nga ana e marrësit/konsumatorit? Meqenëse të dyja gjuhët janë zyrtare në Kosovë, cili është kufiri i dallimit ndërmjet ekskluzivitetit në gjuhë? Kosova ka dhjetë komuna me popullatë shumicë serbe, a është Arena e autorizuar të shfrytëzojë të drejtat në këto komuna apo në tërë territorin e Kosovës? Nëse shumica e shqipfolësve përdorin të drejtat e gjuhës serbe, a është ky një rast i shkeljes së të drejtave të Digitalb?
Shpjegimet e juaja janë shumë të vlerësuara dhe të nevojshme që ne ta trajtojmë këtë çështje në mënyrë transparente dhe efikase.
I juaji sinqerisht,
Jeton Mehmeti,
Kryetar i Komisionit të Pavarur për Media të Republikës së Kosovës
27 shtator, 2023
Letër konfirmimi nga Arena
ARTMOTION LLC
Prishtinë
KONFIRMIMI
Sipas MARRËVESHJES SË SHPËRNDARJES SË KANALIT Nr. Ug 126-0-2-6/21 me datë 01.06.2021. ARENA CHANNELS GROUP DOO BEOGRAD konfirmon se ARTMOTION LLC ka të drejtë të shpërndajë kanalet e Arena Sport tek operatorët tjerë kabllor në territorin e Kosovës*.
Përveç kësaj, ARENA CHANNELS GROUP DOO BEOGRAD konfirmon se ne kemi të drejtat e mëposhtme për territorin e Serbisë duke përfshirë Kosovën*:
-UEFA Champions League
-UEFA Europe League
-UEFA Conference League
-Premier League
-Liga Italiane
-NBA
-Liga Spanjolle
Në Beograd,
27 shtator 2023
Letra e re nga Premier League për KPM-në
Data: 19 Tetor 2023
I nderuar Z. Mehmeti
Faleminderit për letrën tuaj të datës 27 shtator 2023. Në përgjigje të pyetjeve të ngritura në letrën tuaj, mund të konfirmoj sa vijon:
- Premier League ka ofruar të drejtat e transmetimit të drejtpërdrejtë të përmbajtjes së Premier League në Kosovë si pjesë e dy territoreve të veçanta transmetimi si më poshtë:
Shqipëria dhe Kosova, me të drejta vetëm të gjuhës shqipe në Kosovë. Këto të drejta përfundimisht iu licencuan DigitAlb; dhe
Vendet e ish-Jugosllavisë duke përfshirë Kosovën, me të drejta vetëm të gjuhës serbe në Kosovë. Këto të drejta iu licencuan përfundimisht Arenas.
- Këto të drejta janë ofruar si pjesë e një procesi tenderimi në të cilin kanë të drejtë të marrin pjesë subjektet me seli në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi.
- Në marrëveshjet tona të licencës, ekskluziviteti i gjuhës në përgjithësi funksionon vetëm nga ana e transmetuesit. Në rastin e Kosovës, DigitAlb ka të drejtë të shfrytëzojë të drejtat e drejtpërdrejta vetëm në gjuhën shqipe, dhe Arena ka të drejtë të shfrytëzojë të drejtat e drejtpërdrejta vetëm në gjuhën serbe. Nuk ka dallime gjeografike; DigitAlb dhe Arena kanë të drejtën e transmetimit në mbarë Kosovën, pavarësisht nga dallimet në gjuhën e shumicës në komuna të caktuara.
- Sipas marrëveshjeve të tyre përkatëse me Premier League, DigitAlb dhe Arena kanë të drejtë të lidhin marrëveshje me shpërndarësit (p.sh. platformat e palëve të treta) për të shpërndarë kanalet e tyre brenda Kosovës dhe/ose nën-licencojnë të drejtat për transmetuesit lokalë. Në secilin rast kjo mund të bëhet vetëm në përputhje me autoritetin që u është dhënë atyre nga Premier League sipas marrëveshjeve.
Si pasojë e kornizës së licencës së mësipërme, nëse një shpërndarës lokal në Kosovë është në gjendje të bartë kanalet e DigitAlbit ose Arenas varet nga autorizimi gjithëpërfshirës i ofruar nga Premier League në marrëveshje, dhe nga vetë transmetuesi (DigitAlb ose Arena) që autorizon shpërndarësin vendas.
Megjithatë, siç theksohet në letrën tonë të datës 4 shtator 2023, kuptojmë se Artmotion, Kujtesa dhe IPKO në atë kohë po ritransmetonin kanalet e Arenas “Arena Premium 1”, “Arena Premium 2” dhe “Arena Premium 3” që përmbanin transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve pa autoritetin e Arenas apo Premier League.
Ne besojmë se kjo u jep përgjigje pyetjeve tuaja.
Nga këndvështrimi ynë, pasi që korrespondenca jonë origjinale, Artmotion, Kujtesa dhe IPKO kanë ndërprerë transmetimin e kanaleve Arena Premium në Kosovë, si të tillë ne nuk po kërkojmë më ndihmë për këtë çështje nga KPM-ja në këtë moment. Mund të jemi në kontakt në rast të zhvillimeve të ardhshme.
I juaji
Josh Smith
Letra e deputetit Valon Ramadani drejt Premier Leagues
I nderuar Z. Smith
Së fundmi ka pasur një diskutim këtu në Republikën e Kosovës në lidhje me të drejtat e transmetimit dhe shpërndarjes së ndeshjeve të Premier League dhe si kryetar i Komisionit për Media, kam nevojë që të sqarohet kjo gjë.
Unë kam parë një letër të dërguar nga ju në KPM (Komisionin e Pavarur për Media), më 19 tetor 2023, ku ju deklaroni se: “E kuptojmë se Artmotion, Kujtesa dhe IPKO në atë kohë ritransmetonin kanalet e Arenas “Arena Premium 1”, “Arena Premium 2” dhe “Arena Premium 3”, që përmbajnë transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve pa autoritetin e Arenas ose Premier League”.
Nga ana tjetër, kam parë një dokument konfirmimi të dërguar nga Arena Sport në KPM, më 27 shtator 2023, të cilin do ta gjeni të bashkangjitur në këtë email, ku thuhet se Arena Sport dhe Artmotion kanë një marrëveshje shpërndarjeje për kanalet e tyre, duke përfshirë ndeshjet e Premier League.
Për sqarimin e kësaj situate të paqartë, kam disa pyetje për ju:
1. A është Arena Sport e licencuar nga ju për transmetimin dhe shpërndarjen e ndeshjeve të Premier League në Republikën e Kosovës?
2. Nëse po, a kanë të drejtë kompanitë që kanë një marrëveshje me Arena Sport ta shpërndajnë atë në kompani të tjera (palë të katërta)?
3. A keni kontaktuar Arena Sport dhe a i keni pyetur nëse kanë marrëveshje me Artmotion apo ndonjë kompani tjetër në Republikën e Kosovës?
4. Nëse i keni kontaktuar, a mund të na tregoni se cila ishte përgjigja e tyre ndaj kërkesës tuaj?
5. A keni qenë në dijeni, deri më sot, për marrëveshjen mes Arena Sport dhe Artmotion e cila përmendet dhe konfirmohet në dokumentin e bashkangjitur në këtë email?
6. Nëse Arena Sport është licencuar nga ju për transmetimin dhe shpërndarjen e ndeshjeve të Premier League në territorin e Republikës së Kosovës, mbi çfarë baze iu është dhënë kjo licencë? Nëse është dhënë në bazë të pakicës serbe që jeton këtu, a do të thotë se është e kufizuar vetëm në komunat me shumicë serbe, apo vetëm në kompanitë serbe që janë të regjistruara në Republikën e Kosovës?
Përgjigja juaj është thelbësore që ne të gjejmë të vërtetën në këtë situatë komplekse dhe vlerësohet shumë.
I juaji sinqerisht,
Valon Ramadani,
Kryetar, Komisioni Parlamentar për Media
Përgjigja e Premier Leagues për letrën e deputetit Ramadani. (kliko këtu)