Arbëri

Paqartësi me kushtëzimin e BE-së për Kosovën e Serbinë lidhur me fondin 6-miliardësh

Gati 1 miliard eurot e Bashkimit Evropian për Kosovën janë të kushtëzuara me raportet e saj me Serbinë. Përveç mosshpalosjes së hollësive se çfarë konkretisht pritet nga të dyja shtetet, vlerësohet se paqartësi ka edhe në ndërlidhjen e këtyre fondeve me masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës

Kushtëzimi me përparim në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë rrezikon t’u kushtojë të dyja shteteve lidhur me mjetet e parapara për to në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Nga ndihma financiare e BE-së prej 6 miliardë eurosh, Kosova pritet të përfitojë rreth 950 milionë euro, e Serbia 1.7 miliardë.

Agjenda e veprimeve në lidhje me këtë fond është prezantuar javën e shkuar nga kryeministri Albin Kurti, e takime në lidhje me të ka disa muaj që është duke zhvilluar zv.kryeministri Besnik Bislimi.

Por, sipas korrespondentit të KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, në kushtëzimin e vënë ka disa paqartësi. Në mesin e tyre edhe në raport me ndëshkimin e Kosovës me masa që nga qershori i vitit të shkuar. 

“Shumë gjëra në kushtëzimin e mjeteve nga kjo paketë janë të qarta, por akoma kanë mbetur disa që nuk janë krejtësisht të qarta; për shembull a vlejnë masat që janë në këtë moment ndaj Kosovës edhe për këtë paketë apo jo. Në anën tjetër sa i përket Kosovës dhe Serbisë është e qartë se kushtëzimi ka të bëjë me angazhimin e tyre konstruktiv në procesin e normalizimit të raporteve. Mirëpo edhe këtu ka hapësirë për manipulim nga ana e Komisionit Evropian”, ka thënë ai.

Sipas Palokajt, në pikëpyetje është edhe qasja e Komisionit Evropian në lidhje me vlerësimin që do t’u bëjë palëve drejt plotësimit të kushteve që të përfitojnë nga Plani i Rritjes.

“Komisioni Evropian sipas disa diplomatëve nuk ka qenë krejtësisht i balancuar në qasje pasi që qartë ka qenë më kritik ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë. Fakti që Komisioni heziton që të propozojë heqjen e masave ndaj Kosovës dëshmon një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Por Emrush Ujkani, drejtor në Këshillin e Investitorëve Evropianë, ka thënë se kushtëzimi i Planit të Rritjes mund të ndikojë në ndryshimin e qasjes së të dyja shteteve karshi marrëveshjes për normalizim të raporteve.

“Mendoj që do të qasen më ndryshe, sepse korniza tashmë është e dakorduar, është një gjë për të cilin jemi dakorduar edhe ne, edhe Serbia. Ani pse nuk ka firmosje, për BE-në konsiderohet punë e kryer dhe nuk besoj që edhe ne, por edhe Beogradi, do të humbin këtë mundësi e cila është vërtet reale”, ka thënë Ujkani.

Sipas tij, me ndarjen e 6 miliardë eurove për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë dyshimet mbi përkushtimin e tij për rajonin.

“Është një dëshmi shtesë, një përkushtim shtesë i BE-së për ta çuar përpara këtë rajon dhe për ta parë brenda familjes së Bashkimit Evropian, kjo nuk mund të interpretohet ndryshe vetëm një gatishmëri të themi dhe një rritje e sensibilitetit brendapërbrenda vetë BE-së dhe ndjeshmërisë për ta përfshirë brenda familjes Ballkanin Perëndimor. Një përkushtim që nganjëherë ka qenë i vënë në pikëpyetje, pra që kjo tashmë nuk është më qasje e cila nuk ishte dashur të diskutohej”, ka thënë ai.
Ujkani ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen në zbatimin e veprimeve të parapara në mënyrë që të zbatohen projektet.

“Duhet të përgatiten, të ketë mekanizma adekuat që me ju përkushtu këtij plani, e projekte konkrete të cilat pastaj do të përkthehen edhe në përfitimin e fondeve që vijnë nga ky instrument financiar. Implementimi në praktikë i atij plani (Planit të Rritjes së BE-së) është çështje më vete dhe kjo kërkon strukturë shtesë, një punë shtesë nga të gjitha institucionet tona”.

Në lidhje me veprimet që do të ndërmerren, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës. Përgjigje në lidhje me këtë çështje KOHA nuk ka marrë as nga Bashkimi Evropian.

Në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, të mbajtur më 2 maj, kryeministri Albin Kurti ka thënë se agjenda e veprime të Kosovës përfshin 30 reforma e mbi 100 aktivitete konkrete në pesë fusha të ndryshme.

Pos reformave të parapara në fushat si administratë publike, transicioni i gjelbër, sektori privat, mjedisi afarist e sundimi i ligjit, Kosova duhet të paraqesë edhe listën e projekteve. Sipas Kurtit, përmes tyre synohet të mbyllen boshllëqet infrastrukturore e të nxitet zhvillimi ekonomik.

BE-ja ka paraparë që 2 miliardë euro t’iu dhurohen shteteve të Ballkanit Perëndimor, kurse 4 miliardë të tjera t’u jepen në formë të huas më kamata të ulëta.