Arbëri

Papunësia e diskriminimi, sfidat e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian

Problemet me të cilat ballafaqohen komunitetet rom, egjiptian e ashkali, siç janë papunësia e diskriminimi, sipas kryeministrit Albin Kurti, do të adresohen me anë të politikave qeveritare ekonomike për mbështetje. Kurti në konferencën për ndarjen e resurseve me dobi të veçanta për komunitetet ka thënë se ata do të kenë përparësi gjatë realizimit të politikës, “një familje, një i punësuar”. Në këtë konferencë është prezantuar Platforma kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi, ku këto komunitete do të mund t’i raportojnë rastet e diskriminimit

Papunësia e diskriminimi mbeten sfidat me të cilat ballafaqohen komunitetet rom, egjiptian e ashkali. Adresimi edhe i këtyre problemeve, sipas kryeministrit Albin Kurti, do të bëhet me anë të politikave qeveritare ekonomike për mbështetje, siç është pakoja prej 150 milionë eurosh për përballje me inflacionin.

Në konferencën për ndarjen e resurseve me dobi të veçanta për komunitetet joshumicë, Kurti ka theksuar se kanë krijuar një ekip ndërinstitucional për punësimin e këtyre komuniteteve.

“Besojmë që politika jo që çdo familje të ketë nga një të punësuar, apo Qeveria për familjet, siç e kemi quajtur, është mundësi për punësimin e këtyre komuniteteve. Shpresojmë që të gjithë organizatat prej këtyre komuniteteve, që punojnë me këto komunitete, do t’i inkurajojnë të papunët e punëkërkuesit që të regjistrohen në Entin për Punësim, ku do t’u jepet prioritet nëse familja nuk ka anëtar që është i punësuar”, ka deklaruar Kurti.

Ai është shprehur i bindur që politikat për mbështetje ekonomike do të arrijnë tek të gjithë qytetarët, veçanërisht tek ata që kanë më së shumti nevojë.

“Kemi ndarë 150 milionë euro për pakon për përballje me inflacionin përmes pagesave të njëhershme për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, pastaj 50 euro shtesë për punëtorët e sektorit publik dhe rimbursim prej 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët në sektorin privat. Për këtë të fundit shpresojmë që informata do të arrijë tek të gjitha bizneset, në mënyrë që të gjithë qytetarët pa dallim të mund të përfitojnë”, ka deklaruar Kurti.

Në këtë konferencë është prezantuar Platforma kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi, ku këto komunitete do të mund të raportojnë rastet e diskriminimit.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, ka thënë se do të mbajnë fushatë vetëdijesuese te këto komunitete për platformën.

“Në muajt në vijim, në vitin që vjen do të jemi në terren, në komunat e Kosovës, por edhe në zonat e ndryshme të thella, për të komunikuar me qytetarët romë, ashkalinj, egjiptianë, për t’ju ofruar më shumë të dhëna, më shumë qasje, lehtësira se si ata duhet të raportojnë rastet e diskriminimit në këtë platformë”, ka thënë Hajredini.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se kanë krijuar një program të veçantë për mbështetje të komuniteteve në nivel lokal.

“Programi është një prej atyre programeve që në Qeverinë tonë për herë të parë është krijuar si program i veçantë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Nuk ka një buxhet të jashtëzakonshëm, ka një buxhet modest deri 3 milionë euro gjatë vitit. Komunat vazhdimisht janë duke shfrytëzuar këto mjete në mënyrë që të mbështeten grupet e margjinalizuara, komunitetet në veçanti në zonën ku për shumë vjet nuk ka pasur investime nga niveli lokal”, ka theksuar Krasniqi.

Konferenca është organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve dhe Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së kryeministrit.