Situata e krijuar me koronavirusin ka shtyrë qytetarët e vendit që të sigurojnë rezerva ushqimore për kohë më të gjata.
Mielli, vaji dhe sheqeri kanë qenë disa prej produkteve më të kërkuara në dy ditët e fundit nëpër marketet e vendit, raporton KOHA.
Në njërën prej marketeve në Fushë-Kosovë raftet ku gjendet mielli këtë të mërkurë kanë qenë pothuajse të zbrazëta.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës thonë se ata janë duke përcjellë hulumtimet e OBSh-së dhe të organizatave për siguri ushqimore.
Sipas zyrtarëve të AUV-it, deri më tani nuk është vërtetuar se ky virus mund të bartet përmes produkteve ushqimore.
Në kuadër të masave parandaluese të përhapjes së kësaj sëmundjeje, Komuna e Prishtinës këtë të mërkurë ka mbyllur 4 qendrat për të moshuarit.
Pos kësaj, Komuna e Prishtinës është bërë institucioni i vetëm që ka marrë masa për koronavirusin.
Këtu përfshihen pezullimi i të gjitha tubimeve publike, ku pjesëmarrja mund të jetë më shumë se 50 persona, dezinfektimi i hapësirave publike dhe furnizimi me materiale shtesë higjienike në shkolla.