Arbëri

Paneli për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të KOSTT-it ngjall polemika në Komisionin për Zhvillim Ekonomik

Paneli për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të KOSTT-it i formuar javë më parë ka ngjallur polemika të shumta në Komision për Zhvillim Ekonomik.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili e ngriti çështjen e panelit vlerësues të Bordit të KOSTT-it, propozoi që paneli të jetë i hapur për anëtarët e komisionit me pjesëmarrje të detyrueshme.

“Unë mendoj që nuk ka të keqe me qenë gjithë anëtarët e komisionit. Nëse është dikush që thotë se kjo është në përputhje me ligjin atëherë për mua kjo është punë e kryer”, ka pohuar Nitaj, raporton Koha Ditore.

Deputeti Memli Krasniqi ka thënë se problemi i opozitës është bllokimi i KOSTT-it

“Me këtë logjik ne do të mund të rikthenim në diskutim edhe ligjet që janë proceduar në seancë. Sa i përket çështjes së kryesuesit të KOSTT-it është hera e parë që kuvendi e merr këtë përgjegjësi. Në kuptimin legal paneli nuk është vendimmarrës por është komisioni. Komisioni vendos për panelin, dhe për numrin e anëtarëve. Unë mendoj që sa më shpejt të fillojë komisioni dhe paneli të cilin ne e kemi votuar. Kërkesa e opozitës është me blloku KOSTT-in. Nëse vendosim me marr pjesë të gjithë anëtarët e komisionit, një prej tyre kur mungon nuk është valid vlerësimi”, ka thënë ai.

Por, kryetarja e Komisionit, Sala Berisha Shala, ka thënë se ky komision ka votuar panelin me 3 anëtarë dhe përsëritja e procesit vonon dhe dëmton KOSTT-in.

“Britanikët janë vetëm ndihmues në këtë mes. Sugjerimi i tyre ka qenë që të vijmë më lehtë te vendimmarrja dhe duhet me qenë më pak deputet. Mirë nuk është me ju kthyer prapë proceseve. KOSTT-i është qe një kohë pa bord dhe nëse ne shtyhemi atëherë do ta zgjasim këtë proces”, ka pohuar ajo.

Edhe deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se në panel vlerësues duhet të jenë dy anëtarë nga pozita dhe 2 nga opozita.

“Unë po kërkoj që me qenë dy anëtarë të pozitës edhe dy anëtarë të opozitës. Nuk po e kuptoj se kush është problemi pse nuk po e hap komisionin intervistues për me marr pjesë të gjithë ata që kanë vullnet të kontribuojnë, sepse kjo del e qëllimshme pastaj sepse po doni t’i kaloni ato çka ju dëshironi", ka thënë ajo.

Deputetja Mimoza Kusari ka thënë se ndryshimi i panelit vlerësues të KOSST-it nuk është problematik.

“Ne e kemi pas mendimin që ndoshta 3 vetë munden me qenë në komision, por duhet me qenë disa kritere. Ne po e kthejmë vendimin për anë më pozitive. Unë nuk e shoh teke as dështim të komisionit nëse e hapim edhe njëherë si temë. Le ta lëmë betejën e numrave në seancë”, ka pohuar ajo.

Deputeti Dardan Sejdiu ka thënë se hapja e panelit i kontribuon procesit.

“Duke qenë këtu unë po e kuptoj idenë për të qenë gjithë anëtarët e komisionit në panel. Nëse janë të gjithë anëtarët e komisionit në panel dhe procesi ecën mirë, edhe në kuvend procesi shkon më lehtë, në të kundërtën e komplikojmë. Unë po propozoj që të hapet paneli të jemi të gjithë aty kush ka interesim dhe kështu sigurohemi qe në kuvend të dërgojmë një listë. Unë nuk do të jem pjesë e panelit mirëpo nëse hapet si panel do t’i kontribuoj panelit”,ka thënë ai.

Deputeti Liburn Aliu tha se nëse mbesin në panel 2 anëtarë të pozitës dhe 1 opozitës epilogu i këtij procesi mund të dihet.

“Ju keni qenë në pushtet tash e sa kohë dhe i keni dëmtuar të gjitha ndërmarrjet publike”, tha ai.

Mbledhjen e kaluar ky panel është votuar me 3 aëntarë, 2 pozitë dhe 1 opozitë.