Pandemia COVID-19 bëri që gjatë vitit të kaluar komunat të grumbullojnë 15.39 për qind më pak të hyra vetjake nga taksat dhe pagesat e tjera. Por ndryshe nga viti 2020, Asociacioni i Komunave thotë se sivjet është rritur dukshëm inkasimi i të hyrave nga kjo kategori. Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale vlerëson se pasojat e rënies në të hyra pritet t’i bartin komunat e vogla
12 milionë euro më pak të hyra vetjake kanë grumbulluar komunat gjatë 2020-s, vitit të parë pandemik. Kthyer në përqindje, sipas raportit të ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për funksionimin e komunave, këto të hyra kanë rënë për 15.39 për qind, krahasuar me vitin 2019.
“Inkasimi i të hyrave vetjake direkte për vitin 2020 në vlerë prej 65,838,712.14 eurosh krahasuar me inkasimin e të hyrave të llojit të njëjtë për vitin 2019 në vlerë prej 77,813,475.88 eurosh, është më i ulët për diferencën prej 11,974,763.74 euro”, thuhet në këtë raport të MAPL-së.
Kjo rënie vlerësohet si drastike nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK). Mirëpo hezitimi i qytetarëve për t’i kryer obligimet tatimore dhe jotatimore, sipas drejtorit ekzekutiv të AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka filluar të zvogëlohet këtë vit.
“Kjo është duke u përmirësuar jashtëzakonisht shumë në vitin 2021. Trendi i rritjes të të hyrave vetjake në vitin 2021 krahasuar me vitin 2019 është duke e kaluar me përqindje. Do të thotë inkasimi është duke u bërë në mënyrë shumë të mirë”, ka thënë Ibrahimi.
Për shkak të të hyrave më të vogla gjatë pandemisë, sipas tij, disa projekte kapitale nëpër komuna nuk janë realizuar dhe të njëjtat janë bartur për këtë vit.
“Ne besojmë që programet të cilat janë pasqyruar nga kryetarët e komunave dhe zotimet që i kanë dhënë për qytetarët do të përmbushen gjatë këtij viti, sepse viti i kaluar ka qenë një vit i pandemisë COVID-19”, ka shtuar Ibrahimi.
Pasojat e një situate të tillë, sipas Sadri Rrmokut nga Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, do t’i bartin komunat me buxhet të vogël.
“Pothuajse në të gjitha komunat të hyrat vetjake përdoren në kategorinë e investimeve kapitale që faktikisht nëse i shohim edhe në vitin paraprak të gjitha komunat në kohën kur e kanë pasur të lejuar ridestinimin e buxhetit kryesisht janë prekur disa projekte kapitale që kanë qenë të planifikuara për atë fazë”, ka vlerësuar Rrmoku.
Ai ka theksuar se në uljen e të hyrave kanë ndikuar edhe lehtësirat e komunave ndaj bizneseve, si dhe vendimi i Qeverisë për shtyrjen e afatit të pagesës së tatimit në pronë për shkak të rrethanave me pandeminë.
Sipas raportit të MAPL-së, të hyra vetjake mbi 100 për qind kanë realizuar: Graçanica, Rahoveci, Vushtrria, Parteshi. Nga 80 deri 100 për qind këto të hyra i kanë mbledhur Fushë-Kosova, Prishtina, Prizreni, Mamusha, Klina, Peja, Kaçaniku, Kllokoti. Nga 60-70 për qind të të hyrave i kanë inkasuar: Drenasi, Lipjani, Obiliqi, Podujeva, Suhareka, Malisheva, Gjakova, Istogu, Juniku, Mitrovica Jugore, Mitrovica Veriore, Gjilani, Kamenica, Novobërda, Ferizaj, Vitia, Hani i Elezit. Kurse nëntë komunat që kanë realizuar më së paku të hyra, nga 0 deri në 50 për qind janë: Shtimja, Dragashi, Deçani, Leposaviqi, Skenderaj, Zubin- Potok, Zveçani, Shtërpca, Ranillugu.