Prishtinë, 24 janar - Për 1 vit e 6 muaj, saktësisht nga shtatori i vitit 2018 deri në mars të vitit 2020, Inspektorati i Arsimit ka arritur t’ua vlerësojë performancën vetëm 740 mësimdhënësve. E në institucionet publike të nivelit parauniversitar janë mbi 23 mijë mësimdhënës. Ky vlerësim është pezulluar që nga 12 marsi 2020, kur në Kosovë u shënuan rastet e para me COVID-19.
Inspektorati i Arsimit, në një përgjigje për KOHËN, ka theksuar se ky proces do të vazhdojë pas përfundimit të pandemisë.
“Procesi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve është proces i vazhdueshëm. Çdo mësimdhënës, i cili është i pajisur me licencë të mësimdhënësit të karrierës duhet të rilicencohet brenda pesë vjetëve. Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të inspektorëve të arsimit, të pandemisë dhe të mungesës së numrit të mjaftueshëm të orëve të trajnimeve të një numri të mësimdhënësve në programe të akredituara, ky proces nuk po realizohet sipas dinamikës së paraparë”, thuhet në përgjigje.
Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është element kyç në ngritjen e cilësisë dhe instalimin e mekanizmave llogaridhënës. Ky proces, sipas tij, do të mund të bënte diferencën mes mësimdhënësve të mirë dhe atyre jo të mirë.
“Ajo çka unë shpresoj shumë është që së pari t’i rishikojnë kapacitetet institucionale për realizimin e vlerësimit të performancës, si dhe të rishikohet edhe infrastruktura ligjore në mënyrë që të sigurohen që vlerësimi nuk është vetëm proces administrativ, por edhe proces meritokratik dhe jo njëherë në 5 vjet, por të ketë vlerësim në vazhdimësi”, thotë ai.
Edhe pse ka qenë e rregulluar me udhëzim administrativ që nga viti 2013, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve nuk kishte nisur të realizohej deri në vitin 2018.
Faza e parë e vlerësimit do të zgjatë pesë vjet. Pas këtij vlerësimi, mësimdhënësit kategorizohen në katër grupe, si i shkëlqyer, i mirë, i kënaqshëm dhe i pakënaqshëm. Kjo u mundëson të ngrihen në karrierë dhe të rilicencohen apo edhe të mos licencohen nëse nuk tregojnë performancë të kënaqshme.
Sipas planeve të MASH-it, ata që nuk tregojnë performancë të kënaqshme e kanë edhe një mundësi t’i nënshtrohen këtij procesi pas një viti e nëse sërish dështojnë mbesin pa licencë, dhe nuk mund të jenë pjesë e sistemit arsimor.
Para se të niste ky vlerësim, MASH-i synonte që mësimdhënësit t’i nënshtroheshin një testi me shkrim, por që ishte kundërshtuar ashpër nga Sindikata e Arsimit. SBASHK-u ishte shprehur kategorikisht kundër testit me shkrim, meqë e konsideronte si degradim për mësimdhënësit.
Pas këtyre kundërshtimeve nisi vlerësimi nga Inspektorati i Arsimit dhe vizitat e tyre në shkolla.
Niveli i përgjithshëm i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve përfshin gjithsej 140 pikë. Sipas këtij planifikimi, vetëvlerësimi i mësimdhënësit do të vlerësohet me 10% apo 14 pikë, vlerësimi nga drejtori i shkollës 30% apo 42 pikë, vëzhgimi i orës mësimore 30% apo 42 pikë dhe planifikimi dhe përgatitja me shkrim 30% ose 42 pikë.