Arbëri

Pamjet nga veriu po i dërgojnë në burg të dyshuarit për sulme ndaj gazetarëve

Brenda tri ditësh janë arrestuar tre të dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore. Dy prej tyre janë të dyshuar për sulmet që u kryen gjatë muajit maj, e i arrestuari i së hënës është i dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve që ndodhi të premten e shkuar

Të dyshuarit për sulmet ndaj gazetarëve në veri po identifikohen e arrestohen falë pamjeve të publikuara.

Brenda tri ditësh janë arrestuar tre të dyshuar.

Dy të parët janë arrestuar për sulmet ndaj gazetarëve që ndodhën në muajin maj, e të hënën është arrestuar i dyshuari për sulmin e regjistruar të premten e shkuar, në Leposaviq.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, është arrestuar i dyshuari i radhës mashkull serb U.V., me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i dyshuar për përfshirje në një rast sulm ndaj mediave/gazetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur identitetin e plotë të të ndaluarit.

“Tri ditët e fundit, tre të arrestuar për sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit. I arrestuari i tretë, i radhës, është Urosh Vukasinoviq. Këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë. Nuk do të ndalemi, çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet”, ka shkruar Sveçla.

Arrestimin e së hënës, Lista Serbe e ka quajtur kidnapim.

“Në emër të popullit serb, ne kemi bërë thirrje për paqe me muaj të tërë, dhe kjo ka kohë që ka ikur për serbët në Kosovë dhe Metohi, kështu që pyetja e thjeshtë është nëse Kurti është vërtet më i fortë se KFORI, BE, SHBA, QUINTI, OKB apo megjithatë në këtë persekutim të të gjithë serbëve ai ka mbështetjen e dikujt”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Përderisa ky i arrestuar është dërguar në mbajtje, Dalibor Spasiq, i arrestuari të shtunën, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku është mbajtur seanca paraprake. Atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës ka bërë të ditur se që nga nisja e protestave në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, janë regjistruar 30 sulme ndaj punëtorëve të mediave.

Tensionet në veri të Kosovës janë shtuar më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, u futën në ndërtesat kryesore komunale.