Arbëri

Palokaj: Nëse dialogu vazhdon të jetë sikur deri tash, s’ka rëndësi se kush emërohet lehtësues

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel,  Augustin Palokaj ka thënë se nuk është spekulim që Pahor është i interesuar ta marrë rolin e kryenegociatorit për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, diplomacia sllovene është duke punuar në këtë drejtim, por konfirmim nuk ka.

Palokaj ka thënë në "Interaktiv" të KTV-së, se nuk ka konfirmim as që Miroslav Lajçak do të largohet nga roli i lehtësuesit të dialogut, por sipas tij, dihet gjithashtu se ai është zgjedhur që të jetë ambasador i BE-së në Zvicër që nga 1 shtatori.

“Pahor ka një përvojë të madhe edhe në BE edhe në rajon. Pahor ka njohuri të mira personale me politikanë nga rajoni edhe ata nga BE-ja. Nuk ka dyshim që profili i tij është më i lartë se ai i Lajaçkut. Por fuqia e tij nëse emërohet në këtë post, nuk do të varet nga profili i tij, por nga mbështetja që do të ketë nga vendet anëtare sidomos nga Gjermania dhe Franca. Dialogu prej që është emëruar Lajçaku nuk ka përparuar, përkundrazi”, ka thënë ai.

Sipas tij, do të jetë gjithashtu e rëndësishme se kush do të jetë në pozitën e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së.

Ai ka thënë se nëse dialogu vazhdon të jetë sikur tash, pak do të jetë e rëndësishme se kush do të jetë në rolin e lehtësuesit të dialogut.

Palokaj ka thënë se “nuk besoj se ekziston marrëveshja të cilën BE-ja insiston që ekziston. Por edhe nëse ekziston, ajo është për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe jo për normalizim të raporteve”.

“Duhet të presim se çfarë qëndrimi do të kenë shtetet anëtare. Deri më tash mund të themi se nëse krahasojmë me pritjet, atëherë nuk është realizuar qëllimi të cilin ia kishin dhënë Lajçakut kur vendet anëtare u pajtuan që ai të jetë në këtë post”, ka thënë ai.

Palokaj ka thënë se nuk beson që një person, pavarësisht profilit që ka, mund ta shtyjë zgjidhjen nëse nuk e ka mbështetjen e fuqive dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.

“Pala kosovare nuk e ka paragjykuar Lajçakun nga vendi që vjen. Por deklarimet kritike ndaj Lajçakut që ai nuk është më lehtësues i paanshëm kanë ardhur si pasojë e veprimeve të tij në procesin e dialogut. Më shumë ka pasur mirëkuptim për qëndrimin e Serbisë se nuk ka nevojë ta njeh Kosovën. Kjo ka sjell  në situatën që nuk dihet nëse ka marrëveshje, a është obliguese dhe a e respektojnë palët”, ka thënë ai.

Palokaj ka thënë se nuk sheh gatishmëri nga BE-ja që të qëndrojë prapa asaj që thotë se e ka arritur, siç është Marrëveshja apo Aneksi i Ohrit.