Arbëri

Palokaj: Sipas retorikës publike, administrata e SHBA-së është proruse

Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, është shprehur se në retorikën publike, administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shihet si proruse, duke shtuar se ekziston “konflikt” i hapur mes presidentit Donald Trump dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas Palokajt, Bashkimi Evropian duhet të jetë më i vendosur dhe më i qartë në raport me Kosovën e Serbinë, pasi sipas tij, Kosova gjendet në “zonën gri” në BE.

“Kosova është në zonën gri. E kjo zonë gri në Evropë sot s’ka vend në hartë, në kohën kur Evropa përballet me krizën e qëndrimeve dramatike, në raport me aleatët ndërkombëtarë. E kemi një administratë amerikane që sipas retorikës publike është proruse dhe është diçka që s’ka mundur dikush as ta paramendojë para disa ditësh”, ka thënë korrespondenti i KOHËS.

Ai është shprehur se Bashkimi Evropian deri më tani e ka pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara, por sipas Palokajt, Administrata Trump nuk i sheh dialogun dhe formalitetet si opsione.

“Deri më tash BE-ja ka pasur mbështetje pa rezervë nga SHBA-ja për politikat ndaj rajonit, e në rastin e dialogut SHBA-ja ka mbështetur plotësisht dialogun dhe rolin e BE-së. Pra, kemi parë që SHBA-ja e ka mbështetur Bashkimin Evropian që të mos bëjë asgjë”, ka thënë Palokaj.

Korrespodenti i KOHËS shtoi se Rusia ka ndikim në Kosovë.

“Rusia ka ndikim në Kosovë, padyshim, në veriun e Kosovës. Ka pasur për vite, nga ndikimi i Rusisë në Serbi, ndikon edhe në Kosovë. Problemi është se administrata e  tashmë thotë se duhet lejuar ndikimi pasi s’duhet financuar fushatat kundër dezinformimit”, ka shtuar ai.


Palokaj: Ka momentum për heqjen e masave ndaj Kosovës, disa vende në BE po e zvarrisin procesin

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se ekziston momentumi që Bashkimi Evropian t’ia largojë masat sanksionuese Kosovës, por sipas tij, ende ka shtete që po e zvarrisin procesin.

Ai ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se institucionet e BE-së iu kanë bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të lëvizin drejt integrimit, por Palokaj theksoi tutje se Serbia ka ngecur.

“Kam përshtypjen se po krijohet momentumi për heqjen e masave, por ende ka vende që duan të shfrytëzojnë procedurën për të zvarritur procesin. Demokracia nënkupton shumicën e qartë në Parlament të BE-së. Shumica është në favor të anëtarësimit, në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat, por edhe pse kjo shumicë ekziston, në BE vendoset me konsensus. Nëse i kemi 5 shtete që s’e njohin Kosovën, ato e pengojnë në procese formale”, ka thënë Palokaj.

Korrespondenti i KOHËS ka shtuar se prej 2021-s Serbia s’ka bërë përparim në procesin e integrimit evropian.

“Serbia ka ngecur. Prej 2021-s s’e ka bërë asnjë hap, s’ka përparuar. Prandaj iu është thënë Kosovës e Serbisë që obligimet janë të njëjta. Thirrja e Parlamentit Evropian ishte më e fuqishme se ajo e Komisionit. Ai thotë se Serbia duhet të bëjë përparim në mënyrë graduale. Serbia thotë se po bën, por s’ka përmirësim në përshtatje të politikës së jashtme të BE-së”, ka shtuar ai.