Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se takimi i së enjtes në Bruksel mes palës së Kosovës dhe të Serbisë pati dilema të mëdha, e takimi tha se “mund të quhet kthim prapa”.
Sipas Palokajt, për 6 orë u tentua të arrihej një zgjidhje për çështjen e dinarit serb në Kosovë, por shtoi se kjo s’u bë, e ndërmjetësuesi evropian, Miroslav Lajçak, doli me një ide për kompromis.
“Dallimet janë shumë të mëdha, aq të mëdha saqë mund të quhet kthim prapa. U paraqit një ide për kompromis nga Lajçaku që palët duhet të japin përgjigje në 7 ditë. U pa qartë se Serbia insistonte në financimin e strukturave paralele në Kosovë, e pala kosovare tha se duhet një zgjidhje praktike për pagesat për serbët”, ka thënë korrespodenti i KOHËS.
Ai ka shtuar se kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, insistoi se sikur të ekzistonte Asociacioni “problemet do të zgjidheshin shumë më lehtë”.
Palokaj njoftoi se më 13 maj pritet një takim i radhës në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petkoviq.