Arbëri

Palokaj: Çështjet e pazgjidhura në rajon përshpejtojnë zgjerimin e BE-së

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se që pas nisjes së luftës në Ukrainë në Bashkimin Evropian kanë ndodhur ndryshime dramatike, e se procesi i zgjerimit tani shihet më shumë si proces politik sesa teknik. 

Palokaj në “Interaktiv” ka theksuar se tani ekziston vullneti edhe nga BE-ja për të pranuar anëtarë, edhe nga vendet kandidate që të integrohen. 

“Kanë ndodhur ndryshime dramatike pas luftës në Ukrainë dhe BE-ja ka nisur ta sheh procesin e zgjerimit si proces politik e të paqes, e jo doemos si proces teknik ku duhet të përmbushen kritere. Por sa i përket Ballkanit Perëndimor ekziston një fakt pozitiv që është gjeografia. Ballkani është si një enklavë e rrethuar nga BE-ja dhe nuk ka ku të shkojë pos në BE. Kur janë edhe ndikimet nga Rusia e Kina, është faktori serb ku ka ndikim nga këto vende”, ka thënë ai. 

E, sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, Palokaj është shprehur se procesi ka qenë i ngadalshëm dhe faji për këtë është te të dyja palët. 

“Ndikimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor vëzhgohen me kujdes por nuk dramatizohen shumë sa që të mendohet se mund të ketë luftë. Gjithsesi pasi ka çështje të pazgjidhura në rajonin e Ballkanit, jo vetëm në çështjen e Kosovës dhe Serbisë, por edhe në Bosnjë, synohet që të përshpejtohet procesi i zgjerimit, të bëhet anëtarësimi në BE si qëllim i realizueshëm për kombet në Ballkanin Perëndimor dhe të besojnë edhe ato në atë qëllim. Kjo do stimulojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura e reformat e brendshme në këto vende”, ka potencuar ai.