Arbëri

Palokaj: BE-ja preferon "qasjen e paqartësisë" në dialog

Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Bashkimit Evropian po e preferon qasjen e paqartësisë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi. 

Palokaj në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se kjo qasje pritet të vazhdojë. 

“Besoj se do të vazhdojë kjo paqartësi, pasi është e qëllimshme. Edhe BE-ja perferon qasjen e paqartësisë në procesin e dialogut, sepse kjo paqartësi iu mundëson palëve të thonë çfarë të duan e mund të kenë të drejtë në një mënyrë”, ka thënë Palokaj. 

Palokaj ka thënë se nuk pret që në takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve mes Besnik Bislimit e Petar Petkoviqit, që pritet të mbahet në dhjetor, të ketë ndonjë ndryshim të situatës. 

“Përshtypja e diplomatëve në Bruksel është se Miroslav Lajçak po i shfrytëzon muajt që i kanë mbetur prë të gjetur një vend të ri pune. Më shumë shkon në takime, ku mund të lobojë për vete dhe shkruan një herë në javë se pati takime lidhur me dialogun. Në nëntor s’pati asnjë takim. Takimi i fundit ishte në tetor. Do të ketë takim, siç është paralajmëruar nga Lajçaku, në dhjetor. Kjo është, si të themi, për ta plotësuar normën”, ka thënë Palokaj. 
 


 


Palokaj: BE-ja s’e ka problem koston e luftës në Ukrainë, por që nuk flet njëzëri

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Bashkimi Evropian s’do ta kishte problem ta ndihmonte financiarisht Ukrainën në luftën kundër Rusisë, nëse SHBA-ja do të vendoste ta zvogëlonte po ta ndalte ndihmën. 

Por, Palokaj, ka thënë se problemi te BE-ja është se nuk flet njëzëri kur bëhet fjalë për Ukrainën, dhe po ashtu nuk e ka kapacitetin ushtarak që e ka SHBA-ja. 

“Besoj se në aspektin financiar BE-ja do të gjente fuqi dhe para, nuk e ka problem është e pasur, se ka problem të gjejë para kur duhet. Problemi është se BE-ja është e pavendosur. Është organizatë me 27 shtete anëtare. E sot kemi krerë të shteteve apo qeverive të BE-së, që anojnë më shumë nga ana e administratës së Putinit, pra nga Rusia, sesa nga Ukraina. Këtu qëndron problemi i dobësisë BE-së për të folur me një zë. Në anën tjetër BE-ja se ka forcën ushtarake, edhe po të ketë para, s’ka mjete ushtarake që ka Amerika për ta ndihmuar Ukrainën”, ka thënë Palokaj në “Interaktiv” të KTV-së.