Arbëri

Palokaj: BE-ja e SHBA-ja të shqetësuara që Serbia po qëndron fuqishëm prapa Dodikut

Korrespondenti i KOHËS së Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për afrimin e Serbisë me liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik.

Të martën në “Interaktiv”, Palokaj ka thënë se mbështetja e presidentit serb për homologun e tij hungarez e bën më të ndjeshme situatën në rajon.

“Ajo që e shqetëson pak Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është fakti që Serbia po qëndron mjaft fuqishëm prapa Dodikut. Kjo e bën të ndjeshme situatën në rajon, dhe nëse kësaj i shtohet ndikimi rus, shqetësimi është më i madh nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Palokaj ka shtuar se ky vit është i fundit i mandatit të Komisionit Evropian, të Parlamentit Evropian, kryetarit të Këshillit Evropian e edhe të përfaqësuesit të lartë për dialogun, Miroslav Lajçak, gjë që bën të kenë një rezultat në fund të mandatit të tyre.

“Nuk besoj se shtetet anëtare do të jenë të kënaqura nëse si rezultat do të paraqitet heqja e letrave ngjitëse nga targat e veturave apo se qytetarët në veri të Kosovës po paguajnë rrymën, është shumë larg nga pritjet që kanë qenë kur Lajçak ka marrë mandatin, e atëherë thuhej se brenda muajsh dhe jo brenda vitesh duhet të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse në të cilën do të zgjidheshin të gjitha problemet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur ai.