Edhe pse u paralajmërua që dialogu Kosovë-Serbi do të hyjë në një fazë të re me emërimin e Peter Sorensenit si i dërguar i posaçëm i BE-së, në vizitat e tij të para në Prishtinë dhe Beograd janë rikonfirmuar dallimet mes palëve mbi rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kosova vazhdon të kundërshtojë draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të kërkojë zbatim të tërësishëm të marrëveshjeve, ndërsa Serbia e ka vendosur themelimin e tij si parakusht për normalizim raportesh
Dallimet për mënyrën si e shohin palët rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve i janë përsëritur emisarit të ri të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në vizitën e tij të parë në Beograd. Nga paraardhësi i tij, Miroslav Lajçak, ai trashëgoi edhe një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku Kosovës iu kërkua formalizimi i tij.
Por presidentja Vjosa Osmani tha javën e kaluar se ky dokument ka defekte dhe se nuk do ta kalonte testin e Gjykatës Kushtetuese.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e së martës me Sorensenin e vuri parakusht normalizimin e marrëdhënieve me themelimin e Asociacionit. Ai iu ankua diplomatit evropian edhe për trajtimin që, sipas Vuçiqit, po ua bën Prishtina zyrtare serbëve në Kosovë.
“Takim i hapur dhe korrekt me zotin Sorensen, të cilin e kam njoftuar me problemet me të cilat përballet populli ynë në Kosovë. Kam shprehur shqetësimin e veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët në Kosovë, për shkak të lëvizjeve të shumta eskaluese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës. Kam theksuar gjithashtu pengesat e vazhdueshme që Prishtina po bën në procesin e dialogut dhe kam përsëritur se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas 12 vjetësh refuzimi të Prishtinës për ta përmbushur këtë detyrim, është parakusht për fillimin e normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve”, ka shkruar Vuçiqi në Facebook.
Ai ka shtuar se pret nga BE-ja ta intensifikojë angazhimin e saj në dialog dhe të mbajë rol të paanshëm në këtë proces.
Një ditë më herët zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja është e përkushtuar ndaj dialogut Kosovë-Serbi, tek shtoi se rruga e të dyja vendeve drejt integrimit në BE duhet të shkojë përmes këtij procesi.
“Ne po vazhdojmë angazhimin. Emisari i BE-së për dialog, Peter Sorensen, po bën vizitën e parë në Beograd. Do të jetë nga sot deri të mërkurën në Beograd. Kur bëhet fjalë për dialogun, ne jemi të përkushtuar që të shohim që rruga drejt BE-së për të dyja palët të shkojë nëpërmjet dialogu të lehtësuar. Këtu jemi në këtë fazë”, ka deklaruar Hipper.
E pyetur për bashkëpunimin mes BE-së dhe SHBA-së për çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe për dialogun, Hipper ka thënë se “BE-ja bashkëpunon me gjithë partnerët, përfshirë SHBA-në”.
Ajo ka thënë se BE-ja ka kontakt me administratën e re amerikane, por nuk ka dashur të hynte në detaje.
E, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se nuk ka gjasa për ndonjë kthesë të madhe në dialog.
“Përkundër përpjekjeve të të dërguarit të posaçëm Sorensen, që me vizita në Beograd dhe Prishtinë të përgatisë terrenin për të vazhduar dialogu, gjasat për ndonjë kthesë të madhe nuk janë të mira. Kosova akoma është në numërim të rezultatit të zgjedhjeve dhe në pritje për të parë se a do të formohet apo jo Qeveria dhe kush do ta formojë. Ndërkohë që presidenti i Serbisë, Vuçiq, po përballet me protestat më të mëdha. Në këto kushte nuk është reale të pritet që palët të bëjnë kompromise apo që do të sillen në mënyrë konstruktive”, ka thënë Palokaj.
Palokaj ka theksuar se vizitat e Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd kanë dëshmuar që palët janë më shumë të interesuara për të parashtruar kushte sesa që shprehën gatishmëri t’i zbatojnë obligimet e që kanë marrë.
“Pasi që në këtë moment nuk dihet se si do të sillet administrata e re amerikane ndaj dialogut, ndërkohë që është e qartë se bashkëpunimi nuk është në nivel me BE-në, siç ka qenë para zgjedhjeve presidenciale. BE-ja është më shumë në pritje sesa që ka ndonjë ide se si do të vazhdohet dialogu. Në këto rrethana prandaj është joreale që të pritet ndonjë gjë e madhe sa i përket dialogut. Ndërsa, e vetmja mënyrë e Bashkimit Evropian për të bërë presion që palët të sjellin në mënyrën më konstruktive është vazhdimi i kushtëzimit të ndihmave financiare”, ka potencuar ai.
Rolin e tij si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen e nisur me vizitën në Prishtinë javën shkuar. Ai ka takuar drejtuesit e institucioneve të shtetit, përfaqësuesit e partive opozitare, si dhe ata të komuniteteve joshumicë.
“Qëllimet janë që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Tani qëllimi për mua është që të flas me njerëz dhe të shoh qëndrimet e tyre. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por po ashtu më duhet të shkoj në Beograd. Pasi të zhvilloj këto biseda unë do të ulem dhe të shoh se ku jemi”, ka deklaruar Sorensen pasi takimeve që zhvilloi me krerët shtetërorë.
Për mundësinë e kompromiseve eventuale, emisari i ri i dialogut ka theksuar se kjo u takon palëve në bisedime.
Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti i kanë kërkuar Sorensenit heqjen e masave të BE-së kundër Kosovës dhe që marrëveshjet e arritura me Serbinë të zbatohen në tërësi e në mënyrë të balancuar.
Në takim është shpalosur edhe qëndrimi i presidentes për draftstatutin e Asociacionit.
“Në takim me z. Sorensen, presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Presidencës.
Presidentja Osmani është cituar të ketë deklaruar se Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe se në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë.
Edhe kryeministri Kurti ka folur për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.