3 milionë e 257 mijë euro është kostoja e projektit për rehabilitimin dhe zhvillimin e palestrës sportive “Bashkim Selishta-Petriti”.
Komuna e Gjilanit e ka futur këtë projekt në planin e prokurimit për vitin 2020. Komuna nuk do të financojë këtë projekt milionësh ngase është planifikuar që projekti të zhvillohet nëpërmjet partneritetit publiko privat.
Investitorët privatë të cilët dëshirojnë që të kenë në dispozicion hapësirat dhe asetet e palestrës sportive për 35 vite kohëzgjatje do të kenë për detyrë financimin, projektimin dhe ndërtimin e infrastrukturës së re. Poashtu në përgjegjësinë e investitorit është edhe mirëmbajtja.
Drejtoresha për zhvillim ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, deklaroi se javën e ardhshme pritet që të zhvillohen procedurat e prokurimit për këtë projekt.
“Projekti do të realizohet në kuadër të partneritetit publiko privat me koncesion për 35 vite. Koncesionari do të jetë i ngarkuar për projektim, ndërtim, financim, operim dhe transfer të infrastrukturës së re të krijuar. Vendimi i Komitetit për Partneritet Publiko Privat është marr në mbledhjen e 13 tetorit. Po presim shpalljen e procedurave të prokurimit në javën e ardhshme dhe shpresojmë në investim të sektorit privat”, ka thënë ajo.
Sipas saj në projektin e zhvillimit të palestrës parashihet që të ndërtohen pishina, hotel dhe ndërtimi i terreneve tjera sportive. Tahiri ka sqaruar në detaje se çfarë përmban projekti në fjalë.
“Te palestra e sporteve parashihet rehabilitimi komplet i palestrës. Në kudër të kësaj hynë pishina gjysmë olimpike, pishina ndihmëse për fëmijë që të dyja të mbuluara. Pastaj objekti i akomodimit për sportistë. Palestra do të bëhet me klimatizim, pastaj do të rregullohet ngrohja sipas standardeve ndërkombëtare. Adaptimi i palestrës për zhvillim të garave ndërkombëtare, parashihet edhe ndërtimi i terreneve tjera sportive në terren të hapur për mini futboll, hapësira të mjaftueshme për 10 tavolina për ping pong”, ka thënë ajo.