Arbëri

Pakoja e “Valës” në treg shumë më e lirë se që u ofrohet deputetëve

Për gjashtë muaj Kuvendi i Kosovës ka harxhuar mbi 36 mijë euro në telefoninë mobile e atë fikse. Varësisht nga funksioni që mbajnë, deputetët marrin nga 30 deri në 150 euro në muaj për shpenzime të telefonisë mobile. Në anën tjetër, Vala e cila ua ofron këto shërbime, në treg ofron pako me tarifa të komunikimit shumë më të lira sesa ato që u dërgohen deputetëve.

Mbi 36 mijë euro i ka shpenzuar Kuvendi i Kosovës në telefoninë mobile e atë fikse për gjashtë mujorin e dytë të 2023-tës.

Rreth 20 mijë euro prej tyre i kanë harxhuar vetëm deputetët në mbushje elektronike, tregon raporti financiar i Kuvendit.

Nga to, afër 1 mijë euro i kanë shpenzuar veç dy nënkryetarët, Enver Hoxhaj e Kujtim Shala të cilët, sipas një përgjigjeje të Kuvendit, shpenzimet e bëra mbi atë që u lejohet, i kthejnë duke u barazuar në pagë.

“Kryesisë së Kuvendit i takojnë numra post-paid/roaming, ose mbushje elektronike dhe mbi këtë bazë dy nënkryetarë kanë numrat ‘post paid’, dhe u mbulohen shpenzimet sipas vlerës së përcaktuar me vendim. Kurse në rast të tejkalimit, përcillet kërkesa në Drejtorinë e Buxhetit për ndalesë nga paga e vlerës së tejkaluar”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Shuma e lejuar për shpenzime të telefonisë mobile brenda muajit u ndahet deputetëve sipas funksioneve që bartin.

Në muaj kryetarit të Kuvendit i takojnë 150 euro, nënkryetarëve nga 100 euro, shefave të grupeve parlamentare nga 60 euro në muaj, kryetarëve të Komisioneve nga 40 euro dhe deputetëve nga 30 euro.

Për shfrytëzimin e të gjitha shërbimeve telekomunikuese, Kuvendi ka marrëveshje 5-vjeçare të nënshkruar më 2022-tën me Telekomin e Kosovës.

Ky operator në treg ofron oferta shumë më të lira sesa shumat e mbushjeve që u dërgohen deputetëve.

Me 30 euro mbushje, një deputet mund të realizojë më së shumti 196 minuta thirrje në “Vala”.

Ndërkaq, me një ofertë të “Vala”-s, ndër më të shtrenjtat aktualisht që kushton 10 euro, përfshihen thirrje pa limit përbrenda këtij operatori, mesazhe kombëtare pa limit, 200 minuta thirrje kombëtare dhe 15 GB internet.

Sipas një përgjigjeje të Telekomit, shpenzimet e telefonisë nga Kuvendi brenda muajit e tejkalojnë 5-mijëshin. 

“Telefonia Fikse, Interneti dhe Telefonia Mobile, gjithsej 5.200,00€ mujore (afërsisht). Mbushjet ofrohen në formë elektronike; në vlerë mujore 4.715,00€ (Gusht 2024)”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Mbushjet telefonike u ofrohen deputetëve me qëllim të lehtësimit të funksionit të tyre në shërbim të qytetarëve dhe shtetit. 

Të tilla mbushje prej korrikut deri në dhjetor të vitit të kaluar kanë marrë edhe disa nga deputetët serbë e boshnjakë, ani se e bojkotuan institucionin e Kuvendit dhe aty kanë qenë vetëm njëherë gjatë kësaj periudhe kohore.

Pos deputetëve, shërbimet e Vala-s i marrin falas edhe një pjesë e stafit politik dhe administratës. 

Mbi 10 mijë euro mbushje për 6 muaj harxhoi administrata, ndërkaq mbi dy mijë stafi politik.

Ndërkaq, në telefoninë fikse janë shpenzuar mbi 3500 euro.

KOHA ka raportuar më herët se për 33 mijë euro u rritën edhe shpenzimet e deputetëve për udhëtime zyrtare jashtë vendit në 6-mujorin e dytë të 2023-s, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, tregon raporti financiar i Kuvendit. Janë 46 deputetë që bënë udhëtime zyrtare, prej korrikut deri në dhjetor të 2023-s, dhe që harxhuan 112 mijë euro në bileta, akomodim e shpenzime të tjera. Gjatë kësaj kohe disa nga deputetët bënë deri në 9 udhëtime zyrtare jashtë Kosovës.

Por, shpenzime bënë edhe brenda vendit në dreka zyrtare, si anëtarë të komisioneve parlamentare.

Komisioni që më së shumti shpenzoi në dreka është ai për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Vetëm brenda një dite, 10 anëtarët e këtij komisioni shpenzuan në ushqim e pije 1,136 euro.

Mesatarisht, fatura për secilin nga ta e kalon vlerën prej 110 eurosh.

E për një drekë të vetme zyrtare, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut shpenzuan 414 euro.

Ndërkaq, ata të Komisionit për Financa Publike, brenda një dite shpenzuan 141 euro në një restorant, nga i cili deputetët e morën çmimin të ndarë në dy fatura, gati të barabarta. 

Përveç drekave zyrtare, ligjvënësve u mbulohen nga Kuvendi edhe shpenzimet e shërbimeve që i marrin prej bufesë. Për 6 muaj aty konsumuan pije në vlerë mbi 19 mijë euro.

Mbi 20 mijë euro buxheti i Kuvendit i shpenzoi në derivate për vetura, e 6 mijë për automjete me qira.

Në pjesën e dytë të 2023-s, ligjvënësve iu deshën edhe shërbime intelektuale e këshillëdhënëse, për të cilat Kuvendi pagoi 1400 euro.

Nga korriku e deri në dhjetor, për pagat e deputetëve u shpenzuan 1 milion e 600 mijë euro. Për të njëjtën periudhë ata kanë miratuar 27 projektligje.