Arbëri

Pak shpresa për rënie të çmimit të rrymës

Rryma

Ani se çmimet e energjisë në bursat ndërkombëtare ishin më të ulëta sesa parashikimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, sasia e importuar gjatë vitit 2023 ka tejkaluar shifrat e parapara nga ky rregullator. Remontet dhe defektet në blloqe të termocentraleve të KEK-ut kanë ndikuar në rritje të importit, që është një nga komponentët kryesor për rritjen ose jo të tarifave për vitin 2024, e për të cilat pritet të vendoset në fund të marsit

Çmimi i tarifave të energjisë për vitin 2024 nuk pritet të ketë lëvizje të mëdha. Ani se çmimi në bursa ishte më i ulët se sa ka parashikuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë, sasia e importuar ishte më e madhe se sa në vitin 2022.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) pati parashikuar se gjatë vitit 2023, KESCO-s do t’i kushtonte një megavat 157.3 euro, kurse KEDS-it 151 euro, ndërsa çmimi mesatar në bursa për vitin që shkoi ishte 120 euro.

Sipas të dhënave preliminare të siguruara nga KOHA, KESCO ka importuar rrymë në vlerë 28 milionë euro apo më shumë se dyfishin e paraparë për 2023. Rreth 2 milionë më shumë sesa parashikimet ishin edhe importet e energjisë nga KEDS-i.

Shkak për rritje të importit janë remontet kapitale dhe defektet në termocentralet e KEK-ut, duke ulur kapacitetet prodhuese.

Sipas Adhurim Haxhimusës, ekonomist i energjisë, gjendja në tregjet ekonomike evropiane për 2023 ka qenë dukshëm më e mirë sasa parashikimet.

“Çmimet e energjisë elektrike në bursat evropiane që Kosova i merr si referencë apo bazohet kanë pasuar një rënie të madhe. Për shembull 1 megavat energji në vitin 2022 Kosova ka paguar rreth 300 euro, ndërsa në vitin 2023 ky çmim ka qenë vetëm rreth 100 euro”, ka theksuar Haxhimusa.

Ai ka përmendur edhe deficitin e lartë energjetik që ka karakterizuar vitin 2023 si pasojë e mungesës së prodhimeve në termocentrale.

“Si pasojë e defekteve të mëdha dhe renovimeve në termocentralet energjetike në Kosovë gjenerimi është dashur të plotësohet me importe, për të mundur që të plotësojë kërkesën. Si rrjedhojë e kësaj Kosova ka një deficit shumë më të lartë në 2023 se sa në vitin 2022, ky dificit është së paku 2 herë më i lartë në krahasim me vitin 2022”, ka theksuar ai.

Ani se ka pasur rënie të vlerës së inflacionit, ai ka ndikuar në rritjen e kostos së investimeve kapitale, të cilat po ashtu pritet të përfshihen në tarifat e energjisë për vitin 2024, që pritet të aprovohen në fund të marsit.

“Ende nuk i kemi pranuar, por ka një trend të rënies të çmimeve të importeve, që ka qenë komponenti kryesor që ka ndikuar në rritjen e çmimeve, e po ashtu edhe inflacioni që ka ndikuar në rritjen e kostos së blerjes së energjisë elektrike. Ato ndikojnë edhe në koston e investimeve kapitale. Të gjitha këto investime në rrjet kanë një kosto dhe kjo kosto e këtyre aseteve është rritur në bursat ndërkombëtare, domosdoshmërisht ato do të ndikojnë edhe në tarifat edhe në KOSTT edhe në KEDS”, ka thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Nga KESCO kanë thënë për KOHËN se do të kërkojnë që të njihen të gjitha kostot nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

“Si kompani e rregulluar, ne kërkojmë që të na njihen kostot nga ZRrE, dhe pjesa tjetër varet nga vetë rregullatori. Konkretisht, kostot e importit varen nga çmimet e energjisë së importuar në tregjet ndërkombëtare dhe janë jashtë kontrollit tonë. Edhe pse çmimet e importit për vitin 2023 janë më të ulëta se ato të vitit 2022, ato vazhdojnë të jenë jostabile. Pra, ne jemi dëshmitarë të lëkundjeve në çmimet e importit muaj pas muaji”, thuhet në përgjigjen e KESCO-s.

E Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 12 dhjetor ka dërguar shkresë te KOSTT-i, KEDS-i dhe KESCO për azhurnimet vjetore të të hyrave dhe tarifave.

Këto kompani deri më 22 janar do të mund t’i paraqesin të dhënat e tyre për koston e blerjes së energjisë, kostot me pakicë dhe propozimin për të hyra për furnizuesit me shërbime universale.

Deri më 8 mars 2024, duhet t’i dorëzojnë propozimet për tarifa, e më pas ZRRE-ja do të vendosë për tarifat e reja.