Arbëri

Pak pritje që në korrik Kosova ta marrë dërgesën e parë nga 950 milionët e BE-së

Shpërndarja e mjeteve nga ndihma financiare e Bashkimit Evropian do të varet nga një raport i vlerësimit për konstruktivitetin në dialog të Kosovës dhe Serbisë. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se kjo nuk do të varet nga Kosova, por nga qasja destruktive e Serbisë

Qasja destruktive e Serbisë në dialog mund ta pamundësojë shpërndarjen e mjeteve prej 950 milionë eurosh të cilat Kosova pritet t’i përfitojë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, ka thënë të mërkurën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas një raportimi që e ka pasur në Kuvend.

Në vendimin për alokimin e këtyre mjeteve, sipas Bislimit, do të ndikojë vlerësimi për konstruktivitet të palëve, të cilin do ta bëjë emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Kjo nuk është varur asnjëherë prej Kosovës, por nga destruktiviteti i Serbisë. Serbia në vazhdimësi e ka kundërshtuar zbatimin e Marrëveshjes Bazike, duke pretenduar se nuk ka marrëveshje. Situata tash është pak më e komplikuar për arsye se si parakusht dhe për disbursimin e pjesës së parë nga Fondi i Rritjes që pritet të bëhet në korrik, është një vlerësim i Lajçakut për konstruktivitetin e palëve. Ky konstruktivitet do të varet nga në ç’masë palët e pranojnë planin e sekuencimit, si bazë. Serbia do të ketë sfidë të thotë se unë e pranoj një plan të sekuencimit për një marrëveshje të cilën ‘nuk e njoh dhe nuk ekziston’. Serbia do të detyrohet të pranojë se ka një marrëveshje me Kosovën dhe duhet ta zbatojë të njëjtën”, ka thënë Bislimi.

Ai ka theksuar se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së i shtyjnë përpara interesat e Kosovës apo edhe të vetë bllokut.

“Ka interesa të ndryshme të vendeve anëtare. Jo të gjitha i shtyjnë përpara interesat e BE-së edhe të Kosovës, por ka edhe të atillë që i favorizojnë disa kërkesa të Serbisë meqenëse i besojnë se në këtë mënyrë mund ta tërheqin Serbinë drejt Perëndimit, por ky nuk është misioni ynë. Ne i gëzohemi sa herë Serbia merr vendime që e çojnë atë drejt Perëndimit, por nuk është misioni ynë që ta kryejnë këta”, ka thënë Bislimi.

Në maj, Këshilli i BE-së e miratoi instrumentin e ri financiar për t’i mbështetur reformat e lidhura me bllokun dhe me rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Për Kosovën dhe Serbinë parakusht për përfitim nga pakoja do të jetë përparimi në normalizimin e raporteve, konform Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe planit të zbatimit, të dakorduar në Ohër.

Nga ndihma financiare e BE-së në vlerë prej 6 miliardë eurosh, Kosova pritet që të përfitojë rreth 950 milionë euro, e Serbia rreth 1.7 miliardë euro.